Sport

Dervishaj, krenar me të arriturat në volejbollin e Zvicrës

Koncepti i ri i Dervishajt nuk parasheh më ekipe të ndara për volejboll salle dhe plazhi

Zvicra ka pasur periudha më të bujshme në beachvolleyball (volejboll plazhi). Aktualisht nuk mund të flitet për suksese të mëdha në këtë drejtim. Mirëpo, kohëve të fundit Shkolla e Talenteve të volejbollit në Aarau është duke përgatitur gjeneratën e re të volejbollistëve të Zvicrës. Shqiptari nga Kosova Bujar Dervishaj udhëheq këtë shkollë dhe ai ka ndryshuar edhe konceptin e saj.

Koncepti i ri nuk parasheh më ekipe të ndara për volejboll salle dhe plazhi. Dervishaj, që është edhe shef për sport kulminant  në federatën regjionale dhe njëkohësisht edhe udhëheqës i shkollës së talenteve, thotë: “Ne duam që t`ua ofrojmë të rinjve një stërvitje në të gjitha teknikat e volejbollit. Në këtë mënyrë, ata, kur t`i mbushin 18 vjet, do të përcaktohen vetë nëse do të luajnë volejboll salle ose plazhi”.

Ndërkohë, Bujar Dervishaj thotë se është krenar me të arriturat. “Ne japim 7 deri në 8 lojtarë për kombëtaret zvicerane të volejbollit”, shkruan “Aargauer Zeitung”.

Por, sipas tij, nuk janë medaljet ato që vihen në plan të parë. “Me rëndësi është mësimi i teknikave të duhura dhe që të rinjtë të ndjejnë kënaqësi në ngritjen e tyre sportive”.