Maqedonia

Deskoska paralajmëron dorëheqjen nga Ministria e Arsimit, do të drejtojë ministri tjetër

Mediat deklaratën e Deskoska e shohin si mundësi, që në karrigen e saj të ulet zëvendësi i saj, Arbër Ademi duke marrë funksionin prej ministri

“Pa marrë parasysh se kush do të jetë ministër i Arsimit dhe Shkencës, ai do të jetë i obliguar dhe mendoj se do të ketë vullnetin për të zbatuar reformat që i kemi projektuar”.

Këtë e tha ministrija e Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskoska në promovimin e sotëm të Strategjisë së Arsimit 2018-2025.

E pyetur se si i komenton spekulimet për transferimin e saj në Ministrinë e Drejtësisë, Desloska tha se “mendoj se është shumë e intensifikuar saqë nuk është në nivelin e spekulimeve sot”.

Deskoska që nga qershori i 2017-s ka qenë ministre e Arsimit dhe Shkencës, nga e cila pozitë paralajmëroi reforma thelbësore. Mediat deklaratën e Deskoska e shohin si mundësi, që në karrigen e saj të ulet zëvendësi i saj, Arbër Ademi duke marrë funksionin prej ministri, por kjo mbetet të kuptohet nesër, kur kryetari i Qeverisë së Maqedonisë, Zoran Zaev të dorëzojë propozimin për ristrukturimin e Qeverisë në Kuvendin e Maqedonisë. Pjesë e qeverisë pritet të jetë edhe Lëvizja BESA, që do të drejtojë me Ministrinë e Kulturës.