CH-Ballkani

Detyrohen të jetojnë në Zvicër pasi që nuk ua japin pensionet në Kosovë!

Gjonaj: “Në ditët e pleqërisë sime unë më me dëshirë do të qëndroja në vendin tim. Gjithë jetën kam punuar për shtëpinë time në Kosovë. Por tash nuk mund ta marr pensionin atje me vete”. Për këtë arsye atij dhe gruas nuk i mbetet asgjë tjetër përveç se të mbetet për të jetuar në Zvicër. Vetëm këtu ai e merr rregullisht pensionin

Televizioni publik zviceran SRF në emisionin  e tij shumë të shikuar “Rundschau” problematizon çështjen e mohimit të të drejtës për të marrë pensionet e tyre edhe në vendlindje atyre kosovarëve që kanë jetuar dhe punuar në Zvicër. Të shtrënguar nga kjo, mijëra kosovarë detyrohen të qëndrojnë në Zvicër, sepse ndryshe mbeten pa pensione, transmeton albinfo.ch. Partia Socialdemokrate (SP/PS) po përpiqet ta ndryshojë këtë gjendje thuhet në emisionin, në të cilin  janë marrë edhe shembuj konkretë të kosovarëve që po pësojnë nga e gjithë kjo.

Ramë Gjonaj ka punuar për 30 vite si vinçier (kranist) nëpër kantiere të ndryshme nëpër Zvicër dhe ai dëshiron që si pensionist të kthehet në Kosovë, te familja e tij. Edhe pse ai i ka paguar kontributet sociale në Zvicër, ai nuk ka mundësi që ato t`i gëzojë nëse jeton në Kosovë.

“Në ditët e pleqërisë sime unë më me dëshirë do të qëndroja në vendin tim. Gjithë jetën kam punuar për shtëpinë time në Kosovë. Por tash nuk mund ta marr pensionin atje me vete”. Për këtë arsye atij dhe gruas nuk i mbetet asgjë tjetër përveç se të mbetet për të jetuar në Zvicër. Vetëm këtu ai e merr rregullisht pensionin.

Në vazhdim shpjegohet për shikuesit rrjedha e ndërprerjes së njëanshme, nga Zvicra, e marrëveshjes sociale në raport me kosovarët. Kjo ka ndodhur më 1 prill 2010 dhe lexuesit e albinfo.ch janë informuar gjerësisht rreth saj. Dyshimi i Zvicrës në kompetencën e institucioneve kosovare është njëra ndër arsyet e kësaj ndërprerje thuhet më tutje në emision. Kjo sepse Zvicra duhet të ketë mbikëqyrje në atë se ai marrin paratë njerëzit që kanë të drejtë t`i marrin ose jo.

Por ndërprerja e kësaj marrëveshjeje ka krijuar ndërkaq raste të rënda sociale. Bashkëshorti i Mina Hasanit ka punuar gjatë gjysmës së jetës së tij si punëtor ndërtimi në Zvicër. Mina dhe e bija kishin mbetur në Kosovë, dhe kur edhe kryefamiljari pas pensionimit u kthye në Kosovë, ai vdiq në moshën 67 vjeçare. Mina dhe e bija, Lumnija kishin të drejtë për pension, njëra si e vejë dhe tjetra si bonjake. Por, duke qenë shtetas të Kosovës, kërkesa e tyre qe hedhur poshtë.

Lumnija ndihet e diskriminuar. “Kujt t`i besoj tash unë? Shtetit? Politikanëve? Ata premtojnë tashmë kohë të gjatë se ne do t`i marrim paratë që na takojnë. Por unë shpresoj fare pak”.

Më tutje “Rundschau” ia jep fjalën sindikalistit Osman Osmani, i cili lufton prej vitesh për një marrëveshje të re të sigurimeve sociale. “Kjo është një e drejtë që u takon kosovarëve që kanë punuar këtu me vite dhe kanë paguar (kontributet) ndërsa tash janë kthyer për të jetuar në Kosovë”. Ai merr mbështetje në Bernë nga deputetja nacionale e SP-së Barbara Gysi. “Unë mendoj se njerëzit që kanë punuar në Zvicër duhet t`i marrin pensionet e tyre të merituara. Gjithçka tjetër çon në raste të rënda sociale. Ne nuk dëshirojmë që ata të cilët duan të kthehen (në Kosovë) të mos mund ta bëjnë këtë, përcjell albinfo.ch informacionin nga  televizioni zviceran. Madje edhe për Zvicrën nuk është atraktive që këta njerëz të kthehen.

Nga ana tjetër, për Zyrën Federale të Sigurimeve Sociale kushtet për një marrëveshje të re janë të qarta: “Duhet të sqarohet në mënyrë të  besueshme nëse pensionistët janë ende në jetë. Ndërsa në rastet kur kontributet sociale i kërkojnë fëmijët e tyre, Zvicra duhet të sqarojë si më tutje: A ekzistojnë këta fëmijë? A janë ata me të vërtetë fëmijët e personit në fjalë? A qëndrojnë të dhënat për moshën e tyre?” Më tutje, sigurimi i invaliditetit duhet të ketë mundüesinë për të bërë kontrollim mjekësor në Kosovë.

Ndërkohë, komunat kosovare e kanë digjitalizuar viteve të fundit regjistrin civil. Por cilësia ndryshon nga komuna në komunë. Mandej për shkak të të drejtës tradicionale, certifikatat e vdekjes shpesh nuk përcillen me kohë në komuna, thotë një nëpiunëse përgjegjëse, e cila shton se ky sektor i nënshtrohet një kontrolli më të rreptë. Megjitahtë, zyra e sigurimeve sociale vlerëson se negociatat për marrëveshjen do të përfundojnë nga mesi i këtij viti. Pas kësaj, të dyja qeveritëduhet ta mitratojnë nënshkrimin e marrëveshjes dhe më vonë vjen në radhë ratifikimi nga dy parlamentet respektive.

Mirëpo, në këtë pikë (në parlament) vlerëson “Rundschau” mund të ketë kundërshtime. Ato pritet të vijnë nga SVP/UDC. Këtë e dëshmon qysh tash deputeti nacional nga kjo parti, Maximilian Reimann, i cili “nuk ia ka besën”  shtetit të Kosovës, transmeton albinfo.ch. “Si pikë e parë nevojitet një klauzolë për parandalimin e keqpërdorimit, e cila do të pranohej nga Kosova”. Së dyti, dhe kjo duket e habitshme: “në Kosovë nuk duhet të ketë më trupa të stacionuara të huaja (!) përderisa atje paguhen paratë e AHV (sigurimi pensional i Zvicrës). Dhe në veçanti duhet të mos ketë trupa zvicerane”.

Në këtë link mund të shikoni emisionin:

http://www.srf.ch/news/schweiz/gezwungen-in-der-schweiz-zu-bleiben