Integrimi

Dhjetë gjëra që duhet t’i dini për të fituar pasaportën zvicerane

Si mund të bëhem zviceran? Kush ka të drejtë të natyralizohet? Pas sa vjetësh

Albinfo.ch ju sjell disa informata të mbledhura nga swissinfo.ch. Pra, zbuloni pyetjet e lexuesve të saj në mbarë botën, të cilët janë të interesuar për të marrë shtetësinë zvicerane. Dhjetë pyetje dhe përgjigje do t’ju mësojnë më shumë rreth kësaj çështjeje.

1)       Unë jam një qytetar francez, banoj në Francë, por kam lindur në Zvicër, ku prindërit e mi kanë punuar për vite me radhë. A mund të aplikoj për shtetësi zvicerane?
Jo. Në Zvicër shtetësia transmetohet me anë të prejardhjes, sipas parimit të “jus sanguinis”, dhe jo në bazë të vendit të lindjes (jus soli).
Fakti që ju keni lindur në Zvicër, ose që prindërit tuaj kanë jetuar gjatë në Zvicër, nuk do t’ju japë të drejtën e shtetësisë. Si rregull, një i huaj mund të kërkojë pasaportën e kuqe me kryq të bardhë vetëm nëse jeton në Zvicër dhe ka prindër zviceranë, ose në qoftë se bashkëshortin ose bashkëshorten e ka zvicerane.

2)      Jam një qytetar francez, i cili ka jetuar dhe ka punuar për disa vjet në Zvicër. Nën cilat kushte mund të aplikoj për nënshtetësi zvicerane?
Një i huaj mund të aplikojë për natyralizim në qoftë se ka jetuar në Zvicër për të paktën 12 vjet (vitet e kaluara në Zvicër mes moshës 10 dhe 20 vjeçare njihen dyfish). Kjo periudhë do të reduktohet në 10 vjet që nga 1 janari 2018, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për kombësinë. Aplikanti duhet të përmbushë një numër kriteresh: të demonstrojnë se ata janë të integruar, të njohin realitetin dhe traditat e vendit, t’i nënshtrohen kuadrit ligjor, të mos përbëjnë një kërcënim për sigurinë publike, të respektojnë vlerat e Konfederates dhe të jenë në gjendje të shprehen me gojë dhe me shkrim në të paktën njërën nga gjuhët kombëtare të vendit.

3)       Për të aplikuar për shtetësinë zvicerane a duhet të kem jetuar 12 vjet rresht në Zvicër apo disa qëndrime mund të kombinohen?
12 vjetët e banimit nuk duhet të jenë të njëpasnjëshme. Me fjalë të tjera, personi mund të ketë jetuar një numër vitesh në Zvicër, pastaj në një vend tjetër dhe të kthehet në Zvicër. Në përgjithësi, megjithatë, aplikantët duhet të kenë kaluar të paktën dy vjetët e fundit në një kanton dhe/ose një qytet të caktuar.

4)       Si bëhet procesi i natyralizimit? Si duhet të përgatitem dhe sa kushton ajo?
Kushtet dhe procedurat ndryshojnë shumë nga një kanton në tjetrin, siç janë shpenzimet që duhet t’i përballoni për aplikim (ndërmjet 500 dhe 2.000 franga). Në disa komuna autoritetet mund të kryejnë “vizita surprizë” në shtëpinë e aplikantit ose të kërkojnë një periudhë minimale të qëndrimit në territorin e tyre (zakonisht 2 deri në 5 vjet).

5)       Në qoftë se fëmijët e mi kanë lindur në Zvicër, ata do të marrin automatikisht shtetësinë zvicerane, edhe në qoftë se të dy prindërit janë të huaj?
Jo. Ndryshe nga vendet e tjera, të tilla si Shtetet e Bashkuara dhe në një farë mase Spanja dhe Franca, Zvicra nuk e përdor të drejtën e tokës. Pra, nëse keni lindur në Zvicër, nuk do të thotë se ju keni të drejtë për shtetësi zvicerane.

6)       Unë jam një shtetas zviceran, por jetoj jashtë vendit. A janë fëmijët e mi zviceranë?
Po. Nëse babai ose nëna ka shtetësinë zvicerane, fëmijët automatikisht janë qytetarë zviceranë. Megjithatë, fëmijët e lindur jashtë vendit, të cilët gjithashtu kanë një pasaportë të një shteti tjetër, mund të humbin shtetësinë zvicerane në qoftë se ata nuk paraqiten pranë autoriteteve zvicerane para ditëlindjes së tyre të 22-të.

7)       Nëna ime dhe / ose gjyshja ishin zvicerane. A mund të “marrë” nënshtetësinë zvicerane?
Pasardhësit e shtetasve zviceranë mund të “marrin” kombësinë në kushte të caktuara. Kjo vlen veçanërisht në qoftë se ata kanë lindur para vitit 1985 nga një nënë zvicerane, e cila ka humbur shtetësinë e saj nëpërmjet martesës me një të huaj. Por, ligji i ri, i cili hyn në fuqi më 1 janar të vitit 2018, fut rregulla më të rrepta. Në të ardhmen, nëse keni një gjyshe zvicerane, nuk do të jetë e mjaftueshme për të rimarrë pasaportën me një kryq të bardhë.

8)       Nëse kërkoj pasaportën zvicerane, a duhet të heq dorë nga kombësia ime e mëparshme?
Ligji zviceran lejon shtetësi të dyfishtë. E njëjta gjë vlen për pothuajse të gjitha vendet evropiane, të tilla si Franca, Italia dhe Gjermania. Në Austri, fatkeqësisht, shtetësia e dyfishtë është e lejuar vetëm në raste të veçanta, të tilla si personalitete të kalibrit të Arnold Schwarznegger-it.

9)       Gruaja ime është zvicerane. A mund të aplikojë për natyralizim? Dhe, në qoftë se është burri im zviceran, a ndryshon diçka?
Po, që nga viti 1992 burrat dhe gratë trajtohen në të njëjtën mënyrë, në rast të martesës me shtetas të huaj. Një person mund të aplikojë për natyralizim të thjeshtuar nëse është i martuar për të paktën tre vjet me një  shtetas/e të Zvicrës, që ka jetuar me të prej një total prej pesë vjetësh në Zvicër dhe ka jetuar më të në mënyrë të vazhdueshme për të paktën një vit. Aplikanti duhet të dëshmojë se është i integruar, që do të thotë në lidhje me realitetin e Zvicrës dhe të mësojë të flasë një gjuhë kombëtare.

10)      Në qoftë se unë jam i martuar me një zviceran/e, por jetoj jashtë vendit, a mund të aplikoj për nënshtetësi zvicerane?
Po, por kushtet ndryshojnë në krahasim me çiftet që jetojnë në Zvicër. Aplikanti duhet të jetë i martuar për të paktën gjashtë vjet dhe të demonstrojë se ai ka një marrëdhënie të ngushtë me Zvicrën. Kjo do të thotë të ketë aftësi për të folur një gjuhë kombëtare, të ketë kontakte me komunitetin zviceran jashtë vendit dhe ketë qëndruar të paktën tri herë pesë ditë rresht në Zvicër gjatë gjashtë vjetëve të mëparshme të aplikimit.

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/dhjete-gjera-qe-duhet-ti-dini-per-te-fituar-pasaporten-zvicerane/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.