Kultura

Diar Xani kalon me sukses sprovën në teatrin zviceran

Veç sfidës me skenën e Bernës, Diari ka kaluar me sukses edhe sprovën e zhytjes në ujët e ftohtë të lumit Aare. Një bernas i vërtetë!

Aktori i talentuar kosovar Diar Xani, javën e kaluar ka përfunduar serinë e shfaqjeve të komedisë “Blutsuuger” në të cilën ai luan njërin ndër rolet kryesore, të realizuar në teatrin “Schlachthaus” të Bernës. Paraqitja e tij si një i huaj dhe kosovar në këtë shfaqje nuk ka kaluar pa rënë në sy të publikut dhe medieve të Bernës. Gjatë gjithë kësaj kohe nga muret dhe vendet tjera të dukshme të këtij qyteti, gjithandej të shikonte figura e Diarit, e vendosur në qendër të pllakatit informues të shfaqjes.

Pas disa muajsh pune intensive të ekipit teatror, shfaqja është dhënë nga 28 maj deri më 5 qershor dhe ka ngjallur interesim të konsiderueshëm të publikut.

Pas shfaqjes së disahershme të komedisë, që vazhdimisht ka mbushur sallën plot, Diar Xani flet për përvojën e tij të re, kur ai tashmë ka përjetuar edhe kontaktin me publikun e Bernës. “Jam shumë i lumtur që e luajta rolin me sukses, pasi për mua ishte një barrë e rëndë të luaja rolin kryesor, në mesin e tre aktorëve tjerë,që  të tre zviceranë dhe aktorë shumë të njohur. Gjithashtu u gëzova pa masë që në pjesën teatrale arrita t’i fus disa fjalë shqipe që për publikun kanë tingëlluar në mënyrë tepër interesante”.

Xani po ashtu falënderon shikuesit shqiptarë, prania e të cilëve e ka inkurajuar që të luajë edhe me më tepër dëshirë. “Personalisht ndjehesha krenar që mu dha rasti të dëshmohem edhe para bashkatdhetarëve të mi“. 

Udhëheqësja e teatrit “Schlachthaus”, Maike Lex ka fituar përshtypje të veçanta nga bashkëpunimi me aktorin e ri shqiptar. Për të, Diari është një aktor i shkëlqyer, i cili mëson shpejtë dhe ka aftësinë të fitojë simpatinë e publikut. Në një prononcim që ajo bën për albinfo.ch thotë se është shumë e kënaqur nga angazhimi dhe performansa e jashtëzakonshme e Diarit. „Jemi të lumtur që në mesin tonë kemi një aktor kosovar, që me angazhimin e tij ka mahnitur spektatorët e shfaqjes. Nuk ka dyshim se bëhet fjalë për një aktor të talentuar, i cili me mjeshtri të madhe përfiton duartrokitjet frenetike të të pranishmëve”, thotë Lex.

©albinfo.ch

Diari pranon sfidën: hidhet në ujët e ftohtë të Aare-s!

Vetëm fjalë të mira për kolegun e tij të ri nga Kosova ka thënë edhe aktori i famshëm në gjithë hapësirën gjermane, Mathis Kunzler, kolegu i Diarit në shfaqje. Kunzler ka lidhur edhe miqësi me aktorin kosovar, të cilin, siç thotë, e ka sfiduar madje që të zhytet në ujët e ftohtë të lumit Aare të Bernës. Sfidë që shqiptari doemos e ka pranuar dhe e ka kaluar me sukses!

“Ne kishim një kohë shumë intensive të përbashkët të provave dhe ishte interesante të shihje se sa ndryshojnë botëkuptimet tona për teatrin dhe se si dy kulturat tona të ndryshme teatrore frymëzojnë njëra tjetrën. Parimisht, realizimi i komedisë është një detyrë shumë e vështirë për një aktor dhe për këtë arsye loja duhet luajtur bashkërisht, si ansambël. Por, përkundër faktit se barriera gjuhësore (Diari nuk e njihte dialektin zvicerann) në fillim shkaktonte aty këtu ndonjë mosmarrëveshje, në skenë ne kemi gjetur një gjuhë të përbashkët dinamike, thotë Kunzler.

Ndërsa miqësia e tij me Diarin është kapitull në vete. “Privatisht, ne dy kuptohemi shkëlqyeshëm. Javën e kaluar unë madje pata sukses ta bindja atë që gjatë pauzës sonë të drekës të notojmë bashkë në lumin me ujë të ftohtë, 16 gradë. Me këtë veprim, ai përfundimisht është familjarizuar me zakonet e Bernës. Do të kisha pasur dëshirë që edhe unë të paraqitesha me një shfaqje mysafire në Kosovë. Me siguri se edhe për mua atje do të gjendej ndonjë sprovë guximi për ta kaluar me sukses”, përfundon aktori Kunzler.

Regjisorja e komedisë, Christina Rast bën fillimisht një përmbledhje të shkurtë të komedisë “Blutsuuger”, në të cilën, sipas saj, bëhet fjalë për raportet në mes të zviceranëve dhe të huajve.

© albinfo.ch

Kërkonin fuqi krahu, u erdhi një “vampir”!

“Në formë të një komedie groteske ne luajmë me klishetë. Kështu, zviceranët nuk duan më t`i pastrojnë tualetet dhe kërkojnë të huaj që do ta bëjnë këtë punë. Hansruedi thërret në Evropën Lindore dhe kërkon një fuqi krahu, por vjen një vampir. Diari luan rolin e vampirit Drakuslav nga Transilvania. Në këtë mes vihen në lojë dallimet kulturore dhe një ballafaqim thumbues dhe me humor me multikulturën tonë”.

Në Zvicër jeton një komunitet i madh i shqiptarëve të Kosovës por ne për vetë Kosovën nuk dimë në fakt asgjë. Prandaj, për ne ishte interesante që, përmes Diar Xanit të mësojmë diçka për këtë vend. Do të ishte ime interes që këtë shfaqje ta luajmë edhe në Kosovë dhe të shohim se si do të reagojnë njerëzit atje.

Për ne takimi me Diarin ishte sidoqoftë një përvojë e bukur, jo e zakonshme dhe një pasurim”, thotë në përmbyllje Christina Rast, regjisore e komedisë “Blutsuuger”, të shfaqur në Bernë, ku aktori ynë Diar Xani në cilësinë e aktorit mysafir ka luajtur njërin ndër 4 rolet.

Konsullja Selimi: një ndjenjë e veçantë të shohësh në teatrin e Bernës aktorin nga Kosova

E pranishme në njërën nga reprizat e shfaqjes, konsullja e Republikës së Kosovës në Cyrih, Dhurata Selimi shprehet e entuziazmuar me paraqitjen e aktorit kosovar në teatrin e Bernës. Por ajo në të njëjtën kohë shpreh edhe keqardhjen për numrin e vogël të shqiptarëve që kanë ardhur për të parë shfaqjen.

“Një  prezantim shumë i mirëpritur nga i gjithë publiku. Në një shfaqje zvicerane me një aktor nga Kosova në rolin kryesor shumë i mirëpritur ishte edhe fakti që gjatë shfaqjes aktori nga Kosova Diar Xani pati mundësinë që në disa sekuenca të  aktrojë në gjuhën shqipe”, thotë znj. Selimi. Por, shton ajo “me keqardhje e them se nuk ka pasur shikues nga Kosova, Shqipëria apo Maqedonia.

Në bisedë e sipër me organizatorët e teatrit pas përfundimit të shfaqjes nga ata, u tha që nga kjo shfaqje si dhe potenciali i z.  Xani do ta thellonte edhe më tepër bashkëpunimin me aktorët nga Kosova pasi që ata janë shumë të kënaqur dhe se kjo shfaqje ka pasur një sukses shumë të madh. Sa i përket përmbajtjes ishte shumë interesante  dhe për mua personalisht shumë relaksuese“, është shprehur në fund Dhurata Selimi, konsulle e Kosovës në Cyrih.

Në korrik me “Blutsuuger” në Shtutgart, në tetor në Cyrih

Reprizat e komedisë “Blutsuuger” do të shfaqen nga 11 deri më 16 korrik në Theater “Rampe”, në Stutgartt të Gjermanisë. Pastaj nga 26 – 29 tetor dhe 2 – 5 nëntor shfaqja do të reprizohet në Theater “Winkelwiese” në Zürich.