Kosova: vota e diasporës

Diaspora dhe çelësi i zgjidhjes*

Zgjedhjet e parakohshme që po afrohen në Kosovë janë përcjellë me pyetje dhe probleme të shumta, në mes të tjerash, edhe me rolin dhe trajtimin e diasporës. Në historinë e re të Kosovës diaspora ka dhënë një kontribut shumë të madh, si në çlirimin e Kosovës, po ashtu edhe në rindërtimin dhe zhvillimin e saj.

Pa këtë kontribut Kosova nuk do të ishte aty ku është sot. Kosova është i vetmi vend në Evropë që një e treta e popullatës së saj jeton jashtë vendit. Këtu ekziston një potencial jashtëzakonisht i madh, i cili nuk po shfrytëzohet si duhet për përparimin e vendit.

Mërgimtarët kanë edhe shumë resurse të tjera, përveç financave. Shumë njerëz në diasporë janë të irituar dhe të dëshpëruar që trajtimi i diasporës nga shteti i Kosovës nuk është adekuat dhe frytdhënës.

Politika pushtetmbajtëse nuk ka pasur dhe nuk ka interes që diaspora të ketë ndikim real, për shembull, në politikëbërje dhe vendimmarrje në Kosovë. Është absurd në vete që një e treta e popullatës së Kosovës nuk është e përfaqësuar në Parlamentin e Kosovës.

Ky përfaqësim nuk duhet të bëhet për ta shprehur mirënjohjen për diasporën, por në rend të parë, për të përfituar Kosova në mënyrë të ndjeshme nga ekspertiza, angazhimi dhe, sigurisht edhe nga pozicioni që diaspora nuk “blihet” për interesa të ngushta me favore të ndryshme. Diaspora nuk mund të instrumentalizohet për interesa klienteliste.

Mërgimtarët, në rend të parë, dëshirojnë që atdheu ynë të përparojë në çdo drejtim dhe njerëzit aty të jetojnë në mirëqenie dhe me dinjitet. Shumica e partive politike në Kosovë i ndjekin interesat e ngushta personale dhe partiake, por jo shtetërore.

Sjellja e tyre është egoiste dhe destruktive për zhvillimin e shtetit. Shembulli më i freskët është koalicioni parazgjedhor PDK-AAK-Nisma, i lidhur në mes të natës. Ky koalicion nuk është bërë për interesa shtetërore, por thjesht për t’i ngopur nevojat e politikanëve të korruptuar.

Ramush Haradinaj pak ditë përpara deklaroi “vijën e kuqe” ndaj PDK-së dhe bëri një koalicion në momentin e fundit me të njëjtën parti. Kjo tregon se çfarë ndërgjegje kanë këta njerëz dhe çfarë interesash ndjekin. Në negociatat e tilla nuk flitet për koncepte të zhvillimit të Kosovës, por thjesht për poste. Për poste dhe favore bëhen koalicionet, për poste dhe favore prishen ato. Ndërsa qytetarët e Kosovës, edhe pas 18 vjetësh të çlirimit ua japin votat të njëjtëve njerëz të korruptuar. Në këtë aspekt, deshëm apo nuk deshëm, ne jemi bashkëpunëtorë të tyre.

Pa përkrahjen aktive apo pasive prej nesh, ata nuk do të mund ta katandisnin vendin tonë në këtë gjendje. Për këtë vend jemi përpjekur dhe kemi luftuar me shekuj, e sot po e shkatërrojmë me duart tona. Kjo situatë duhet të na bëjë të reflektojmë thellë. Po t’i lehtësohej diasporës pjesëmarrja në zgjedhje, ajo e ka potencialin edhe në aspektin e numrave për ta ndryshuar rrënjësisht hartën politike të Kosovës. Politikanët si Kadri Veseli, Ramushj Haradinaj dhe Fatmir Limaj pikërisht këtë nuk e dëshirojnë, ngase e dinë që diaspora me shumicë të madhe atyre nuk ua jep votat.

Arsyetimi që koha është e shkurtër për ta mundësuar pjesëmarrjen e diasporës në mënyrë të lehtë dhe masive, është sa banal, po aq edhe hipokrit. Kjo punë ka mundur të rregullohet shumë më herët, në mënyrë që kur të mbahen zgjedhjet, gjithçka në aspektin teknik të jetë gati për pjesëmarrje sa më masive të diasporës.

Me gjithë pengesat e mëdha, të gjithë ata që e kanë mundësinë të marrin pjesë në zgjedhje duhet ta shfrytëzojnë atë mundësi dhe ta japin kontributin e vet për ndryshim të gjendjes në Kosovë. Tani ka qenë një shans i madh që të ndryshojë mënyra e qeverisjes dhe të vijnë njerëz të pakorruptuar. Vetëvendosja dhe LDK-ja e kanë (pasur) një mundësi për një ndryshim të madh.

*Hamit Zeqiri është ekspert social dhe kryetar i Konferencës së këshillimoreve për Integrim në nivel të Zvicrës, KOFI

*Ky është opinion i autorit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht qëndrimin e redaksisë