Integrimi

Diaspora kosovare është integruar përmes punës

Intervistë me Pierre Maudet, këshilltar shteti, Gjenevë, nga Partia Liberale-Radikale

Personalitet politik zviceran, anëtar i partisë liberale-radikale gjenevase, më i riu nga shtatë këshilltarët e Shtetit gjenevas, i martuar e baba, Pierre Maudet, i lindur në Gjenevë, ndan nga koha e tij aq e çmuar disa momente për t’u njohur me lexuesit e albinfo.ch

“Të dallohesh nuk është as një gjë e mirë, as një gjë e keqe. Thjeshtë, kjo do të thotë që ju jeni mjaft të guximshëm të jeni vetvetja”. (Albert Camus)

Albinfo.ch: Lexuesit tanë dëshirojnë t’ju njohin më mirë. Kush jeni ju zotëri Këshilltar i Shtetit…?

Pierre Maudet: Me profesion jam jurist. Kam 38 vjet. Jam i martuar dhe kam tre fëmijë. Për herë të parë në  moshën 21 vjeçare isha i zgjedhur në Këshillin komunal të Qytetit të Gjenevës e më pas në moshën 29 vjeçare edhe këshilltar administrativ i Qytetit të Gjenevës. Mandej jam zgjedhur në pozicionet aktuale në moshën 34 vjeçare.

Siç mund ta keni kuptuar, politika për mua ka qenë gjithmonë një pasion.

“Siguria është detyrim i parë i një shteti.” Michele Alliot Marie

Albinfo.ch: Si e shpjegoni punën e juaj në krye të departamentit të sigurisë në mënyrë që qytetarët gjenevas të jenë pjesëmarrës në ruajtjen e sigurisë së tyre?

Pierre Maudet: Departamenti im mbulon sferën e sigurisë dhe atë të ekonomisë. Puna ime e përditshme qëndron në atë që të garantoj (siguroj) sigurinë e mallrave dhe të njerëzve, në përgjithësi. Në fakt, ajo luhatet në mes të vendimeve që duhet marrë për të ruajtur e për të tërhequr bizneset në Gjenevë dhe për të siguruar që qyteti ynë të mbetet një qytet në të cilin është mirë të jetohet.

“E vetmja liri konkrete e të menduarit, është liria për të menduar konkretisht” Jean-Paul Sartre

Albinfo.ch: Çfarë ishte takimi juaj i parë me shqiptarët e Kosovës në Zvicër dhe me mijëra prej tyre që jetojnë në Gjenevë? Në mënyrë të veçantë, çfarë mendoni për shqiptarët e Kosovës të cilët, edhe pse janë duke punuar për më shumë se dhjetë vjet këtu, ende nuk kanë statusin e vendbanimit të qëndrueshëm në Gjenevë?

Pierre Maudet: Takimi im i parë me komunitetin tuaj ishte miqësor. Në këtë kuptim unë kam disa miq nga Kosova të cilët me siguri duke lexuar përgjigjen time do të gjejnë veten e tyre dhe kjo ka kontribuar në mendimin e mirë që kam për shqiptarët e Kosovës që prejse i njoh.

“Të qenit bashkë është një fillim, të qëndruarit së bashku është progres, puna së bashku është sukses”. Henry Ford

Albinfo.ch: Cili është mendimi juaj në planin ekonomik të shoqërisë multikulturore të kantonit tonë, ku shumica e të huajve që jetojnë këtu nuk kanë kualifikime të duhura për të përmbushur kërkesat e tregut të sotëm të punës ?

Pierre Maudet: Për të mundësuar integrimin në tregun e punës tashmë që të gjitha mjetet janë të dhëna. Kjo mund të bëhet nëpërmjet shkollimit të vazhdueshëm, zanatit ose edhe kurseve të frëngjishtes.

“Krenar si një qytetar i Bernës, i vrazhdë si një i Cyrihut, i interesuar si një qytetar i Gjenevës”. Thënie zvicerane

Albinfo.ch: Si do të thoshit ju për kosovarët ?

Pierre Maudet: I integruar si një kosovar.

“Shpesh dëgjoj disa njerëz që thonë se burgu shkatërron apo në mënyrë të pashmangshme çon në recidivizëm. Në këto përfundime pesimiste shpesh shohim përjashtime”. Joaquim Pueyo

Albinfo.ch: Luftërat kanë bartur gjithmonë krimet dhe kriminelët edhe jashtë vendeve në konflikte të drejtpërdrejta. Ku gjendemi sot me imazhin e kosovarëve të përcjellë nga mediat dhe realitetit gjenevas?

Pierre Maudot: Tabloja është shumë e mirë. Komuniteti kosovar ka ditur të integrohet përmes punës së tij dhe respektimit të zakoneve tona. Si gjithmonë, disa që nuk i respektojnë ligjet tona ndonjëherë japin një imazh të keq, por kjo përfaqëson një pakicë të vogël.
“Është anglez kush mundet, është francez kush do”.  André Frossard

Albinfo.ch: Kosovarët thonë: është zviceran kush punon.  Dhe ju, çfarë thoni? Është zviceran kush …?

Pierre Maudet: …Kush bën risi.

“Investimet e sotshme janë fitimet e së nesërmes dhe punë të së pasnesërmes”. Helmut Schmidt

Albinfo.ch: A mendoni se investimi i Shtetit të Gjenevës është i mjaftueshëm për të siguruar një integrim të suksesshëm sidomos të të rinjëve me prejardhje të huaj?

Pierre Maudet: Po. Në veçanti, nëpërmjet punës së Zyrës së Integrimit. Të rinjtë me origjinë të huaj që kanë status legal kanë po të njëjtat mundësi siç i kanë edhe të rinjtë zviceranë.

“Miqtë tanë janë pasqyra jonë, kujtesa jonë, nuk kërkojmë asgjë prej tyre, pos që ata  herë pas here e shkëlqejnë këtë pasqyrë në mënyrë që ne të mund të shikohemi aty”. Milan Kundera

Albinfo.ch: Në mes të miqve dhe të njohurve, a keni edhe emra kosovarë që ju njihni?

Pierre Maudet: Po. Megjithatë, do të kujdesem për të mos i përmendur në rreshtat e juaj meqë ata nuk bëjnë politikë. Por në qoftë se ju vërtet i doni, unë do t’ju cekja lojtarët e futbollit, Xherdan Shaqiri apo Valon Behrami.

“Dashuria e demokracisë është ajo e barazisë”. Charles de Montesquieu

Albinfo.ch: Cila është porosia juaj në lidhje me këtë thënie?

Pierre Maudet: Do të përkufizohem për të kompletuar thënien e juaj të nxjerrë prej “Esprit des lois”  (Frymës së Ligjeve) të  Montesquieu. Dashuria e barazisë në demokraci, kufizon ambicien në të vetmen dëshirë, në të vetmen lumturi për t’i dhënë atdheut shërbimet më të mëdha se qytetarët e tjerë. Të gjithë nuk mund t’i bëjnë atdheut shërbime të barabarta; por të gjithë duhet që në mënyrë të barabartë t’i japin atij. Që në lindje, kontraktojmë ndaj tij një borxh të madh të cilin nuk mund ta përmbushim asnjëherë.

“Parimi i parë për sukses është që të dashurohesh me punën.” Motra Marie-Laurette

Albinfo.ch: Ata që identifikohen me veprimet e juaja politike shohin në ju një këshilltar federal të ardhshëm. Sa jeni i dashuruar ju në punën e juaj?

Pierre Maudet: Jam në atë pikë sa më shumë kohë kaloj me të se sa me gruan time (qesh). T’i lëmë qeshjet mënjanë, unë i kushtoj punës jashtëzakonisht shumë kohë me qëllim që të dëshmohem si i denjë për besimin që populli më ka dhënë. Ia vlen kjo për Gjenevën.
albinfo.ch:  Lufta kundër ekstremizmit është e hapur … Çfarë prisni nga komunitete të ndryshme fetare të Gjenevës në mënyrë që sekularizmi i vendit tonë të mbajë të shëndetshëm terrenin e tij?

Pierre Maudet: Që të respektojnë zakonet dhe traditat e vendit tonë dhe të kuptojnë se praktika fetare duhet të mbetet në sferë private. Kurrë ligji dhe zakonet fetare nuk mund të vendosen mbi ato të Republikës.

Albinfo.ch:  Cila është porosia e juaj për lexuesit e  albinfo.ch dhe popullatën e  kantonit tonë shumëkulturor për Vitin e Ri 2017?

Pierre Maidet: Të vazhdoni për tu integruar, pa harruar nga vini. Ne jemi me fat që ju kemi mirëpritur dhe ju po na e ktheni këtë, duke ndërtuar me ne një qytet në të cilin është mirë të jetohet. Ju dëshiroj një vit të shkëlqyer 2017 dhe ju inkurajoj që të vazhdoni dhe të mbani vrullin e juaj: atë të një komuniteti që integrohet, që respekton zakonet e doket tona dhe që punon.