Integrimi

“Dita e Dialogut me Diasporën“, një format i ri i prezantimit të diasporës

Anduena Stephan: "Për herë të parë në një format të ri diaspora në Gjermani u mblodh për të folur me kolegët e saj nga shumë fusha të jetës, me kolegë të rrjeteve dhe shoqatave nga e gjithë Evropa dhe Kanadaja, me përfaqësues të nivelit komunal dhe ekzekutiv shumë të lartë në Gjermani, Shqipëri e BE"

Në nëntorin e vitit të kaluar është mbajtur në Gjermani „Dita e Dialogut me Diasporën“. albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me ideatoren dhe bashkorganizatoren, Anduena Stephan, Konsulle e Nderit e Shqipërisë në Gjermani (NRW) dhe presidente e Shoqatës Integrative Gjermano-Shqiptare, IDEAL

Albinfo.ch: Së pari ju urojmë për Ditën e Parë të Dialogut me Diasporën në Gjermani, që u mbajt ditë më parë.

Anduena Stephan: Ju falënderoj për urimin tuaj dhe kohën e vëmendjen që ju po i kushtoni këtij eventi në portalin dhe revistën tuaj. Do të doja të theksoja se ky event është produkt i punës së një grupi përfaqësuesish të Diasporës, mes të cilëve do të doja t’ua kaloja urimet tuaja Znj. Mimoza Kelmendi, Znj. Silva Reka, Znj. Elda Teqja, Znj. Ketrina Ajazaj, Z. Alban Shehu, Z. Bekim Hoxha, Z. Sami Asllani, Z. Milazim Jusaj, Znj. Mimoza Leka, Z. Musa Mullolli, Z. Avni Dervishi, Z. Besnik Rama, Z. Bashkim Meholli e shumë e shumë kolegëve të tjerë të cilët e bënë të mundur këtë event.

A mund të na thoni pse e quani Dita e Parë e Dialogut?

Sepse për herë të parë në një format të ri diaspora në Gjermani u mblodh për të folur me kolegët e saj nga shumë fusha të jetës, me kolegë të rrjeteve dhe shoqatave nga e gjithë Evropa dhe Kanadaja, me përfaqësues të nivelit komunal dhe ekzekutiv shumë të lartë në Gjermani, Shqipëri e BE dhe së fundi, sepse për herë të parë Diaspora bëri partner të saj një institucion shumë të rëndësishëm për të gjithë kombin, Presidencën.

Çfarë e bëri të veçantë këtë ditë?

Numri rekord i pjesëmarrësve nga e gjithë Gjermania, Evropa, Shqipëria, Kanadaja, Kosova. Mbi 220 pjesëmarrës startuan këtë dialog. Ndërthurja e brezave, për herë të parë tre breza ishin të pranishëm në një ditë të tillë. Ndërthurja e dialogut, jo vetëm “mes vetit”, por dhe me kolegë gjermanë dhe bashkëbisedimi në nivel të njëjtë, pra pa komplekse tipike që kanë ngarkuar diasporën tonë si “ne nuk na duan se jemi shqiptarë”. Dëshira për të bashkë-dialoguar e bashkëvepruar me shtetet ku jetojmë dhe shtetet e origjinës në formate e modele të reja, të orientuara drejt projekteve konkrete në terren mbi baza vullnetare dhe në benefit të drejtpërdrejtë në bazë, pra te njerëzit.

Dita e Dialogut ishte e veçantë edhe nga formati, ajo kishte mbi 5 platforma të ndryshme ku njerëzit mund të dialogonin, cili ishte qëllimi?

Po, është e vërtetë, Dita e Dialogut ishte e ndërtuar në 5 platforma të cilat do t’i doja t’i përshkruaja pak:

Së pari – platforma klasike konferenciale: pra paneli të cilin unë pata dhe nderin ta moderoja mbi prezantimin institucional të akterëve me të cilin Diaspora duhet të dialogojë. Këta ishin shprehimisht: Ministria e Diasporës e Kosovës, përfaqësuar nga zv. Ministri i saj Z. Arjan Daci, Ministria për Shqiptarët jashtë kufijve, e përfaqësuar nga Ambasadori i Shqipërisë në Gjermani Sh. T. Zoti Artur Kuko dhe Këshilltarja e ministrit Majko, Znj. Esmeralda Hasani, Ministria e Familjes, Fëmijëve, Integrimit dhe Refugjatëve e Shtetit Federal më të madh gjerman, përfaqësuar nga Sekretarja e Shtetit për Integrimin Znj. Serap Güler, Shoqata e Autoritetit Vendor të Komunave nga Shqipëria të përfaqësuara nga Znj. Adelina Farrici si drejtore ekzekutive e saj, si dhe institucionet partnere CIM-Qendra Ndërkombëtare për Migrim gjermane, përfaqësuar nga Znj. Nora Seddig, Dhoma e Tregtisë e Tiranës përfaqësuar nga sekretarja e përgjithshme e saj, Znj. Albana Laknori, si dhe nga Shoqata e Partneriteteve mes qyteteve të Köln, përfaqësuar nga presidenti i saj, Z. Ulrich Linnenberg.

Së dyti – platforma dialoguese shoqatë-individ me të gjithë pjesëmarrësit

Së treti – platforma “sy me sy” – pra dialogu i drejtpërdrejtë mes pjesëmarrësve, institucioneve dhe shoqatave në ambiente të lira.

Së katërti – platforma e tryezës së rrumbullaket sektoriale, e cila u moderua nga vetë pjesëmarrësit e Ditës së Dialogut.

Së pesti – platforma e dialogut me Presidencën.

 Cilët janë hapat e radhës?

Me të gjithë ekipin organizator, përfaqësuesit e tryezave të rrumbullakëta dhe me të gjithë pjesëmarrësit e tjerë që do të duan ta vazhdojnë këtë rrugëtim ne po përgatisim dialogun në terren në pranverë, pra në Shqipëri dhe Kosovë dhe më pas dhe përvijëzimin e projekteve konkrete si dhe përmbajtjen e tyre. Pra, Dita e Dialogut është konceptuar si një projekt afatgjatë dhe e tillë do të jetë.

A patët pengesa? Në mediat sociale pati dhe thirrje publike për “sabotimin” e Ditës së Dialogut?

Është normale që të ketë mendime ndryshe dhe platforma ndryshe. Në Gjermani jetojnë mbi 500.000 shqiptarë. As ne nuk marrim përsipër të përfaqësojmë të gjithë dhe as ndonjë individ apo shoqatë tjetër nuk mund të ec vetëm e as të pretendojë të përfaqësojë të gjithë këtë numër të madh shqiptarësh. Diaspora jonë ka nevojë për faktorizim dhe angazhim pa komplekse në projekte konkrete. Vetëm shembulli i mirë e ndihmon diasporën të vendoset në të njëjtën platformë me ato të vendeve të tjera të Ballkanit dhe të mos asimilohet.

Diçka për portalin tonë?

Ju jeni një nga partnerët më të fuqishëm të diasporës. Kujtoj këtu Forumin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor në 2014 kur unë prezantova për herë të parë platformën zhvillimore “road map” për diasporën shqiptare së bashku me Z. Engjëll Begalla nga Ministria Shqiptare e Punëve të Jashtme dhe ku hodhi rrënjë dhe bashkëpunimi ynë. Ju na keni mbështetur dhe keni qenë dera mediatike që na ka dhënë zë për të gjitha nismat dhe aktivitetet tona. Ju uroj shumë suksese dhe jam e bindur që do të jeni gjithmonë një media profesionale dhe e përgjegjshme të cilën jemi të lumtur që e kemi fituar si partner.