Zhvillim

Diaspora sjell në Kosovë veturat e vjetra

Veturat që përdoren në Kosovë kryesisht sillen nga diaspora. Në Kosovë nga vende të ndryshme të diasporës gjatë vitit 2016 janë sjellë 17 200 vetura nga të cilat vetëm 1400 të pa përdorura

Për veturën me targa gjermane, të prodhuar në vitin 2002 e që Ramë Loshi e kishte sjellë para pak javësh në Kosovë, pyesin plot myshterinj.

Sapo ai u thotë çmimin ata largohen me shpejtësi. Ndonëse në tregun evropian ajo mund të konsiderohet një veturë që po nxirret nga tregu, shumë kosovarëve u mbesin “sytë” në të.

Loshi thotë se e ka sjellë vet nga Gjermania. Dikush tallet me refrenin e “plakës” që do ta ketë ngarë atje. “Veç një plakë e ka vozitë”, i thotë një tjetër, për ta bërë pak nervoz burrin që nuk zbret aspak në çmim.

“Mirë e keni Ju këtu. Do ta mbaja për vete, sikur kostoja e procedurave doganore dhe akcizës të mos më kushtonte sa dyfishi i çmimit të veturës”, përgjigjej Loshi, duke mos lëvizur nga vetura.

Mërgimtarët kërkojnë lehtësira në regjistrimin e veturave në Kosovë

Kur gazetari i “Albinfo.ch” e pyet nëse do të duhej të kishte ndonjë lehtësi për mërgimtarët që të regjistrojnë veturat në Kosovë, ai thotë se Ministria e Diasporës do të ishte mirë të kujdesej që një mërgimtari së paku një herë në 3 ose 5 vjet t’i mundësohej regjistrimi i një veture në Kosovë, jashtë tarifave për dogana dhe akcizë e homologim që paguhen në Kosovë.

“Ne kemi kontribu qe sa vite, duke mbajt gjallë Kosovën, duke sjellë çdo vit miliona euro të holla, në formë të remitencave. Andaj, asgjë shtetit nuk do t’i kushtonte të nxjerrë një vendim që do të lironte tarifat e regjistrimit të veturave për ne mërgimtarët”.

Ai ka thënë se me këso veprimesh edhe për ta do të ishte më e lehtë. “Verës nuk do të prisnim në radhë të gjata kufijsh. Do të udhëtonim me aeroplanë kurse në Kosovë do të kishim një veturë që do ta shfrytëzonim”, ka thënë ai.

Loshi është ankuar po ashtu se çmimi i veturave që në Kosovë jepen me qera është i shtrenjtë, andaj edhe do të ishte një zgjidhje e mirë për ta nëse do të mund të kishin një veturë të dytë sa qëndrojnë në Kosovë.  “Varet çfarë kerri merr me qira. Por 30  deri në 40 euro në ditë është çmimi për një veturë që marrim me qira”, ka thënë ai.

Madje është shprehur se gjatë muajve të verës e kanë edhe problem të gjejnë vetura me qira me çmimet reale, pasi kur janë pushimet dhe mërgimtarët gjenden në Kosovë, atëherë kërkesat rriten dukshëm për këto vetura.

Një tjetër shitës i veturave është Ardian Stublla. Ai brenda tregut i fshin pluhurin me një leckë veturës Volkswagen që e kishte nxjerrë në treg. “Çmimet e regjistrimit dhe doganimit janë shumë të larta”, thotë ai.

“Një veturë në Gjermani me regjistru bën 150 euro kurse këtu të shkojnë për të njëjtën 3000 euro. Sa janë rrogat këtu e sa janë atje”, ka thënë ai.

Kosova, vendi i veturave të vjetra 

Në auto-tregun kryesor në Kosovë, atë që gjendet në zonën industriale mes Prishtinës dhe Fushë Kosovës kryesisht të dielën sillen vetura që janë duke dalë nga tregu në vendet e Evropës Perëndimore.

“Këto kerre që këtu i shesim, atje tashmë nuk i përdorin. Por janë sërish më komode dhe më të përshtatshme se shumica e veturave që operojnë në Kosovë”, ka thënë ai.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës në mars të vitit të kaluar kishte nxjerrë një vendim që lejon importimin e veturave më të vjetra se 13 vjet. Kjo ka bërë që numri i këtyre veturave që regjistrohen në Kosovë të shënojë rritje.

Vetëm gjatë vitit 2016 në territorin e Kosovës kanë hyrë 17 200 vetura. Bazuar në të dhënat e doganës importimi i veturave të reja është dukshëm më i ulët se sa i atyre të vjetra.  “Prej janarit deri në fund të muajit gusht 2016 janë importuar 17 200 automjete. Nga to vetëm 1400 janë automjete të reja, me kilometrazhë Zero kurse 15 800  vetura të importuara janë të përdorura”, ka thënë zëdhënësi i doganave Adriatik Stavileci.

Sipas tij, importi i veturave të reja sivjet ka shënuar një rritje prej 10 për qind. Kjo, pasi siç ka thënë ai, sivjet, MSA-ja ka liruar nga taksa doganore prej 10 për qind të gjitha veturat e reja. Po ashtu nuk paguhet as doganë për veturat e reja që janë nën 2000 kubikë. Ndërkohë gjatë vitit 2015 në Kosovë janë importuar 17 mijë e 988 vetura prej të cilave vetëm 1 261 ishin të reja.

Ndërsa sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme, në Kosovë janë mbi 300 mijë vetura të regjistruara. Në këtë shifër sipas MPB-së përfshihen regjistrimet e reja, regjistrimet e përkohshme, vendimet, ri-regjistrimet dhe legalizimet.

Fakte:

Në vitin 2016 nga diaspora në Kosovë janë importuar 17 200 automjete nga të cilat vetëm 1400 janë të reja, me kilometrazhë Zero kurse 15 800 automjete të importuara janë të përdorura.

Regjistrimi i veturave në Kosovë shumëfish më i shtrenjtë se në Gjermani

Një tjetër shitës i veturave është Ardian Stublla. Ai brenda tregut i fshin pluhurin me një leckë veturës Volkswagen që e kishte nxjerrë në treg. “Çmimet e regjistrimit dhe doganimit janë shumë të larta”, thotë ai. “Një veturë në Gjermani me regjistru bën 150 euro kurse këtu të shkojnë për të njëjtën 3000 euro. Sa janë rrogat këtu e sa janë atje”, ka thënë ai.