Bota

Dikur imigrant, sot kuzhinier i njohur në Paris

Para disa vjetëve, ishte imigrant i pastrehë, kurse sot një libanez është ndër kuzhinierët më të njohur në Paris.

Alan Geaam e ka gjetur suksesin në Francë, pasi restoranti i tij në zemër të kryeqytetit francez rrëmbeu yllin e parë “Michelin” në fillim të këtij muaji, përcjell albinfo.ch.

I ndodhur pranë Arc de Triomphe, restoranti “Alan Geaam” më 5 shkurt u vlerësua për vlera të gastronomisë. I lindur në Liberi, 43-vjeçari e ka përjetuar edhe luftën e parë civile në këtë shtet.

Familja e tij më pas u detyrua të kthehej në Liban, për të përjetuar më shumë konflikte. Në vitin 1999, Geaam vendosi të provonte fatin e tij në Francë, por e gjeti veten të pastrehë, pasi nuk dinte frëngjisht.

Për fat të mirë, disa francezë e ndihmuan të gjente një vendstrehim. Duke pasur nevojë për të ardhura, Geaami pranoi të punonte në vendet e ndërtimit dhe kishte shpërndarë edhe fletushka. E më pas ai përfundoi duke larë enët në një restorant, duke shënuar fillimin e karrierës së tij si kuzhinier.

Një kuzhinier i vetë-trajnuar, stili unik i Geaamit ndërlidhet me produkte libaneze me shije tradicionale franceze. Klientët paguajnë 60 deri në 100 euro për të shijuar specialitetet e tij.