E-Diaspora

„Dior“, vendtakimi i sportistëve shqiptarë të St. Gallenit

Shqiptarët e Sankt Gallenit njihen për aktivete të shumta. Numri i tyre është i madh dhe këtij qyteti nuk i mungon asgjë për ta kaluar kohën e lirë. Për komunitetin shqiptar të kësaj ane, një qendër e aktiviteteve sportive dhe“ndeja për qejfi“ gjendet që prej tre vjetësh Cafateria Dior, përballë ndërtesës së lartë të qytetit, Silberturm në rrugën Rorschachut, si një vendtakim i sportistëve shqiptarë të të gjitha grupmoshave.

Kafeneja jonë është vendi ku takohen babai me të birin për kafenë e mëngjesit, miku me mikun për të parë futboll. Në këtë vend organizohen takime e mbledhje të mërgatës sonë me karakter integrues, shprehet Xhelal Mustafa.
Ky restorant synon të bëhet një atelie shqiptare, ku secili është i lirë të shfaqë doket e veset nga vendi prej ku vjen, nga ku çdo mërgimtar është i lirë të sjellë një copë ngjyre nga atdheu i tij i dashur, nga vendi i të parëve të tij, vazhdon ai më tutje.

Dior është një frymëzim gërshëtues mes të ardhmes dhe të kaluarës, mes antikës dhe modernës. Një vend, siç thonë zvceranët, një „Stube“ që mban gjallë frymën dinamike të komunitetit shqiptar përmes organizimit të aktiviteteve të shumta sportive, si turnire e takime të shumta të aktiviteteve të mërgatës shqiptare të St. Gallenit, në shah, në lojërat OK apo të njohura në zhargonin popullor, loja me gurë dhe takime të tjera. Po ashtu është e ditur, tregon ai më tutje, se klubi i shahut „Schach-Club Kosova“, i cili garon në ligën e dytë zvicerane, i kryen të gjitha përgatitjet këtu.

Restoranti i familjes Mustafa njihet si vend që u krijon hapësirë të mjaftueshme futbollistëve dhe tifozëve të futbollit, veçmas me tifozët kuq e zi, tregojnë ata. „Shqipëria është në zemrat e të gjithëve, por vend e zë, ka për t’i brohoritur edhe Kosovës, Zvicrës dhe shumë skuadrave të tjera nga Liga e Kampionëve, tregon futbollisti i familjes Mustafa, Agroni, i cili thotë se këtu mbahen takimet e skuadrës më të vjetër shqiptare në Zvicër, ekipit futbollistik të seniorëve, Besa.

Pronari Besar Mustafa kujdeset që ky vendtakim të mos humbë shkëlqimin që i ka dhënë babai i tyre, duke bërë restorantin të duket si një ekspozitë që shfaq qytetin e vjetër të Gjilanit përmes fotografive bardhë e zi me muzikë të zgjedhur popullore, të cilën familja Mustafa e ruan dhe e kultivon jo vetëm përmes radios, por edhe duke organizuar një herë në muaj me këngëtarët më të njohur të folklorit e muzikës sonë popullore ahengje me muzikë „live“.

Në këto „ndeja për qejfi“ shtrohet sofra shqiptare, e mbushur me ushqime nga kuzhina jonë tradicionale, me specialitete e mish të zgjedhur zgare, tregon pronari i restorantit, Besar Mustafa. „Ushqime nga kuzhina jonë tradicionale organizohen sa herë kemi festa me karakter kombëtar e fetar. Nëntori njihet si muaji i festave tona kombëtare, ku mbi të gjitha qëndron flamuri ynë me shqiponjën dykrenare dhe ne do t‘i këndojmë flamurit në këtë dhe në çdo nëntor vit pas viti“.

Për këtë fundjavë, të shtunën, më 26 nëntor, Cafeteria Dior është kujdesur për një organizim sa më madhështor për nder të kremtës së flamurit, ku mysafirët do të argëtohen nën tingujt e muzikës popullore të grupit Florim Thaqi.

Dior është pikëtakimi ideal i mërgatës shqiptare të St. Gallenit, ku çdonjëri prej jush mund të çmallet me miqtë e shokët tuaj, duke i kënduar flamurit, në një ditë të madhe e të veçantë të populllit shqiptar.