Kultura

Disa të krisur më shajnë si `shqiptar të ndyrë`

Ardiani tregon rrëfimin e tij të përndjekjes nga regjimi serb. "Te disa kokëtrashë konflikti vazhdon të jetë temë ndezëse"

Ardian Bujupi, ylli shqiptar që po lind në qiellin e muzikës gjermane dhe botërore, sonte dio të ballafaqohet me sfidën e radhës. Ai do t`i matë forcat me tre këngëtarët tjerë të mbetur në garë për titullin e yllit në shoun më prestigjioz të muzikës në hapësirën gjermanofone „Deutschland sucht den Superstar” (DSDS).

Në prag të spektaklit të sontëm, gazeta dhe portale të ndryshme gjermane i japin shumë hapësirë rrëfimit jetësor të Ardianit, të zbuluar për herë të parë sot.

Ky rrëfim ka të bëjë me të kaluarën e tij si i arratisur nga Kosova, në kohën kur babai i tij tashmë ishte në Gjermani, si i përndjekur nga regjimi serb. Siç u ka thënë Ardiani medieve gjermane babai i tij ka qenë „drejtor në universitet” në Prishtinë dhe ka këshilluar profesorët që të japin mësim në gjuhën shqipe.

Këto këshilla e kishin futur babanë në listat e zeza të shërbimit sekret serb, kështu që ai ishte detyruar të ikte nga Kosova.

Ardiani ka qenë vetëm një vjeç kur, bashkë me të ëmën dhe motrën e posalindur u ishte dashur të merrnin edhe ata në sy rrugën e ikjes nga Kosova, i ka deklaruar Ardiani gazetës „Berliner Zeitung”.

Pak kohë pas ikjes së tyre kishte shpërthyer lufta në Kosovë. Kjo luftë kishte lënë pasoja të rënda edhe për familjen e gjerë të Ardianit. Familja nga e ëma ishte shpërndarë në të gjitha anët e botës. Pas luftës, nga fshati i saj nuk kishte mbetur asgjë në këmbë.

Ardiani thotë më tutje se pjesëmarrja në spektaklin DSDS i ka bërë të qartë se te disa njerëz, konflikti vazhdon të jetë temë. „Te disa kokëtrashë kjo vazhdon të jetë temë ndezëse. Në forumet e ndryshme të fansave të mi ka të krisur që më shajnë si `shqiptar të ndyrë`. Gjëra të tilla duhet të injorohen, ata janë të marrë të papërmirësueshëm”.