Bota

Disa të lënduar pas përpjekjes për të dëbuar refugjatin sirian

Gjatë përpjekjes për të zhbllokuar rrugën, në mes të policisë dhe protestuesve është shkaktuar përplasje, me ç`rast janë hedhur gurë dhe gaz lotsjellës, si dhe janë përdorur shufra të gomës

Rreth 60 persona kanë protestuar natën e së hënës në Witzenhausen të Gjermanisë kundër dëbimit të një refugjati 27-vjeçar sirian.

Pasi refugjati u arrestua, dy patrullat policore u rrethuan nga çiklistë të cilët ua bllokuan rrugën, thuhet në një njoftim të policisë gjermane, përcjell Albinfo.ch.

Një grua madje ishte lidhur për veturën e patrullës. Policia nuk ka mundur të lëvizë pas bllokadës, prandaj ka thirrur përforcime.

Gjatë përpjekjes për të zhbllokuar rrugën, në mes të policisë dhe protestuesve është shkaktuar përplasje, me ç`rast janë hedhur gurë dhe gaz lotsjellës, si dhe janë përdorur shufra të gomës.

Gjatë kësaj proteste janë lënduar disa pjesëmarrës të aksionit. Pas dy orëve, protesta është shpërndarë.

Sipas policisë, gjatë zënkës me protestuesit janë lënduar edhe policë.