Shqipëria

Dita e Verës, Veliaj premton ndërtimin e Piramidës dhe Teatrin e ri  

"Çdo ndryshim vjen me një rrëmujë të madhe, por kur ndryshimi vjen, të gjithë e përqafojnë dhe harrojmë që shumë prej gjërave që kemi kritikuar e debatuar janë sot pikat më të nxehta të qytetit”

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, në festimet e Ditës së Verës ka dhënë një premtim të rëndësishëm, duke thënë se, pavarësisht kundërshtimeve, në kryeqytet do të ndërtohet piramida dhe Teatri i ri.

Edhe këtë ditë Veliaj e ka nisur duke mbjellë pemë të reja në periferi të Tiranës.  “Pavarësisht debateve që pati, kur ndërtuam këndin e lojërave pavarësisht debateve që pati, kur ndërtuam Pazarin e Ri, pavarësisht debateve që pati, kur ndërtuam bulevardin e ri, pavarësisht debateve që pati, do të vazhdojmë në këtë mot të ri për të ndërtuar më shumë në Tiranë, pavarësisht debateve që do të kenë.

Kjo do të jetë Piramida, do të jetë Teatri i ri, do të vazhdojmë me fundin e bulevardit. Ne kemi mësuar që çdo ndryshim vjen me një rrëmujë të madhe, por kur ndryshimi vjen, të gjithë e përqafojnë dhe harrojmë që shumë prej gjërave që kemi kritikuar e debatuar janë sot pikat më të nxehta të qytetit”, u shpreh ai.