Integrimi

“Ditët e Kulturës Shqiptare” në Zvicër fillojnë me muzikë klasike

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

E veshur me një fustan të gjatë e të kuq, sopranoja Sanije Matoshi, nën përcjelljen në piano nga Elizabeta Musliu, përballë publikut të cilët ishin mbledhur në Bibliotekën Pestalozi në Cyrih, ka hapur  të mërkurën mbrëma „Ditët e Kulturës Shqiptare“ në Zvicër

Sanije Matoshi ka interpretuar këngët si “Vajta kalova”,
„Vajzat më të bukura të vendit tim“, “Margjelo”, duke ndezur publikun që e kanë duartrokitur gjatë performancës.

Me performancë ishte emocionuar edhe vetë sopronajo Matoshi, e cila ishte paraqitur për herë të parë në një format të këtillë në Zvicër.

Sopranoja kosovare kishte zgjedhur të interpretonte elegji dhe këngë ritmike që përmbajnë mesazhe të kulturës sonë shqiptare.

„Ishte emocionuese të prezantosh para njerëzve tanë që jetojnë jashtë vendit në diasporë. Me të vërtetë ishte emocionuese, por unë besoj që me këtë program kam përcjellë mesazhe te njerëzit tanë se me të vërtetë duhet ta ruajmë gjuhën, vlerat tona kombëtare, muzikën tonë dhe kulturën“, ka deklaruar për albinfo.ch sopranoja nga Kosova, Sanije Matoshi.

Matoshit i ka bërë përshtypje që salla ishte mbushur me bashkatdhetarë shqiptarë në vend të atyre zviceranë, për të cilët kishte pretenduar organizatori, Ministria e Diasporës e Kosovës.

„Më shumë më bën përshtypje kur i kemi njerëzit tanë këtu, dhe mendoj se duhet të bëjmë më shumë për t’i ngritur vlerat tona kulturore dhe gradualisht të marrin vesh edhe të tjerët nëpërmes nesh se kemi vlera të pasura kulturore“, thotë Matoshi.

„Jam përpjekur gjithmonë të ruajmë identitetin tonë shqiptar duke krijuar muzikën artistike shqiptare, edhe pse janë të paktë ata që iu kanë qëndruar besnik vlerave dhe qëndron një realitet i hidhur kur njerëzit që qeverisin në Kosovë mendojnë se është luks të përkrahet një muzikë e tillë, por unë shpresoj se do të vijnë njerëz që do përkrahin trashëgiminë e vlerave tona, sepse ky është identiteti jonë dhe nëse mbrohet në Kosovë, mbrohet edhe nga qytetarët jashtë vendit“, deklaron sopranoja Matoshi.

Ndryshe mendon Kushtrim Sheremeti, këshilltar i lartë i ministrit të Diasporës, Valon Murati, duke delaruar se edhe zviceranëve duhet t’u tregojmë për kulturën tonë shqiptare.

„Ishte një koncert i shkëlqyeshëm i dy zonjave nga Kosova dhe përshtypjet e mira të publikut, edhe pse shumica ishin bashkatdhetarë tanë, ndërsa kishte një numër të vogël të zviceranëve, por shpresoj se viteve të ardhshme do të ketë më shumë zviceranë sesa bashkatdhetarë tanë. Ne kemi nevojë t’u tregojmë vendësve ku jetojmë të mirat, të bukurat, artin dhe kulturën shqiptare“, thotë për albinfo.ch mysafiri nga Prishtina.

Për Sheremetin „Ditët e Kulturës Shqiptare“ organizohen këtë vit në Zvicër dhe Belgjikë dhe janë pilot projekte me synimin që, sipas tij, në vitet e ardhshme të organizohen në më shumë vende dhe të jenë tradicionale.

„Qasja e Ministrisë së Diasporës është që të sjellim emra për bashkatdhetarët tanë nëpër botë, që të ndajmë artin dhe kulturën e atdheut të tyre bashkë edhe me miqtë dhe partnerët e tyre vendës, ndërsa gjatë ditëve të diasporës ne do të vazhdojmë traditën që të prezantojmë vetëm artistë tanë nga diaspora në Kosovë që njëkohësisht vendi të njihet me vlerat që i kemi në diasporë“, deklaron Sheremeti.

Ai tha se me këtë po bëjnë të duhurën që vlerat e diasporës të njihen më shumë në Kosovë dhe njëkohësisht diaspora thotë të ketë nevojë t’u tregojë partnerëve vendës sa më shumë kulturë nga prejardhja e tyre nga Kosova.

Sido që të jetë, mbrëmjen këtë herë e ka moderuar aktori i njohur në diasporë, Ramadan Morina, ndërsa „Ditët e Kulturës Shqiptare“ do të vazhdojnë nesër mbrëma në të njëjtin vend, ku do të jepet shfaqja teatrale „Gishti“ nga dy aktoret kosovare, Teuta Krasniqi dhe Irena Cahani.

Ndërsa, më 30 nëntor, nga ora 18 do të shfaqen projekte filmike të shkurtra nga Prishtina dhe Tirana.

Të njëjtin fat nuk do ta kenë edhe bashkatdhetarët në Belgjikë.

Ministra kosovare e Diasporës (MD) ka njoftuar se në Belgjikë, për shkak të kërcënimeve terroriste dhe sulmeve të fundit në Paris, është anuluar koncerti i jazz artistes shqiptare, Elina Duni, më datën 28 nëntor në kuadër të „Ditëve të Kulturës Shqiptare“ në këtë shtet.

Anulimi ka ardhur pas rekomandimeve të palës belge.