E-Diaspora

“Ditët e Kulturës Shqiptare” nisin edhe në Londër

 Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Londër, ka hapur zyrtarisht programin “Ditët e Kulturës Shqiptare” në Londër.

Ministri i Diasporës, Valon Murati, bashkë me ambasadorin Lirim Greiçevci, ka pritur mysafirë dhe personalitete në Ambasadën e Kosovës në Londër për të hapur zyrtarisht këtë aktivitet. Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri Murati ka treguar përkushtimin e Ministrisë së Diasporës për ruajtjen dhe promovimin e kulturës në vendet ku jeton diaspora jonë.

Sic bëhet e ditur në një njoftim të MeD-it, ministri Murati ia dorëzoi zyrtarisht çmimin për kontribut të veçantë për diasporën historianit dhe akademikun britanik, Sir Noel Malcolm. Me këtë rast, ministri Murati theksoi se ky çmim i jepet Sir Malcolmit në shenjë nderimi për kontributin e tij.

Sir Malcolm tha se është i nderuar ta pranojë këtë çmim nga Ministria e Diasporës dhe se është kënaqësi  të kontribuojë në zbardhjen e rolit të shqiptarëve jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë.

Në ditën e parë të aktivitetit u shfaqën tre filma nga Kosova. Së pari, u shfaq filmi dokumentar “117”, i regjisorit Besim Sahatçiu, ndërsa më pas filmat e metrazhit të shkurtër “Shok” dhe  “Kanarinat e dinë”. Ditët e ardhshme do të jepet  shfaqja “Sikur kjo të ishte shfaqje”, koncerti i Elina Dunit, si  dhe do të hapet ekspozita e fotografit Fadil Berisha “Albanian Beuty”.

Ditët e Kulturës Shqiptare do të zgjasin deri më 4 dhjetor.