E-Diaspora

Djaloshi nga Kosova takon nxënësit amerikanë që ia paguan operacionin

Erblin Sllamniku nga Kosova ishte operuar me sukses në zemër, derisa ka falënderuar nxënësit amerikanë që paguan 5 mijë dollarë për operacionin e tij

6-vjeçari Erblin Sllamniku para një jave i ishte nënshtruar një operacioni në zemër. Ai shkoi në Amerikë me ndihmën e nxënësve amerikanë që ia paguan operacionin prej 5 mijë dollarësh, derisa djaloshi nga Kosova dhe nxënësit e shkollës së mesme “St. Anthony”, u takuan të mërkurën, shkruan “newsday.com”.

6-vjeçari i ishte nënshtruar operacionit në zemër në spitalin “St. Francis”, në fshatin Flower Hill, të Nju-Jorkut. Djaloshi nga Kosova kishte lindur me sëmundjen e njohur si PDA, ku një enë e gjakut mbetet e hapur, kështu duke lënë një vrimë në aortë. Mjekët kanë rregulluar gjendjen e tij me një ndërhyrje të vogël.

“Ndihem shumë mirë”, ka thënë djaloshi kosovar me anë të përkthyesit kur u pyet sesi ndihet ai. Babai i tij, Fadil Sllamniku ka falënderuar nxënësit amerikanë, derisa ka treguar për frikën që kishte. “Kam qenë i tmerruar dhe frikësuar sa isha në Kosovë”, tha ai gjithashtu me anë të përkthyesit. “Kur erdha këtu, frika ime u zhduk”.

Doktori Sean Levchuck, ka thënë se vrima është mbyllur me sukses për një procedurë rreth 40 minuta, derisa shtoi se djaloshi do të ketë një jetë të madhe.

Këshilli studentor ka grumbulluar paratë e nevojshme për ta sjellë Erblinin në Amerikë, me anë të një grupi humanitar “Gift of Life”, i cili ndihmon fëmijët me sëmundje në zemër në tërë botën.