CH-Ballkani

Donatori nga Zvicra bën një familje me kulm mbi kokë

Donatori nga Zvicra, Vezir Ramushi ka ndihmuar që një familje nga Gjilani të bëhet me kulm mbi kokë

Mërgimtarët vazhdojnë të japin ndihma në Kosovë, sidomos për familjet që kanë nevojë.

Donatori nga Zvicra, Vezir Ramushi ka ndihmuar që një familje nga Gjilani të bëhet me kulm mbi kokë.

Gurthemeli i shtëpisë së Refik Aliut nga Capari, në kuadër të mbrëmjes humanitare “Pak nga ne, shumë për ata”, është vënë, ku ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, raporton albinfo.ch.

Sali Abdullahu, në emër të donatorit nga Zvicra, Vezir Ramushit, ka thënë se mërgata e cila u largua nga Kosova për një kafshatë të gojës, sot po ia kthen përsëri këtij vendi pasurinë dhe mundin e të mirat me mbështetje në forma të ndryshme për familjet në nevojë, për një jetë më të mirë dhe për zhvillim të vendit, njofton faqja e Komunës së Gjilanit.

Ai, po ashtu, ka ftuar të gjithë shqiptarët në mërgim të cilët kanë mundësi, që të kthehen me investime e me mbështetje drejtë Kosovës, sepse falë angazhimit edhe të Komunës së Gjilanit, ne kemi një mbështetje edhe zyrtare për të ndihmuar.

Lutfi Haziri ka përsëritur se rasti i familjes në Capar është i veçantë dhe për t’u përshëndetur e falënderuar gjithë diasporën, sepse pa pjesëmarrjen e fuqishme të tyre në jetën dhe zhvillimin në përgjithësi, jo vetëm Gjilani, por gjithë Kosova do të ishte në një gjendje jashtëzakonisht më të keqe.

Nga ana e tij, Refik Aliu, ka falënderuar Komunën e Gjilanit, donatorin Vezir Ramushi dhe gjithë ata që kanë kontribuar që të fillojnë punimet në ndërtimin e shtëpisë. “Kam jetuar në kushte të vështira, edhe sot jam në kushte të tilla. Normalisht që kjo është dita më e gëzueshme e imja dhe e familjes sime”, ka thënë i emocionuar kryefamiljari Aliu.