Zhvillim

Drejt një Shqipërie moderne që nuk e braktis bukurinë e saj të ashpër

“Nusja (Shqipëria) është e vullnetshme, por dhëndri nga Brukseli po ngurron”, kjo është motoja e një artikulli të gjatë të cilin javorja zvicerane “Die Weltwoche” ia kushton Shqipërisë: Kontradiktat në mes të ambicieve evropiane të Shqipërisë dhe barrierave ballkanike që frenojnë këto ambicie janë në fokus të shkrimit të frymëzuar të autorit Peter Keller. Albinfo.ch e ka përkthyer këtë artikull me pak shkurtime.

“Shqipëria është akoma një shtet pothuajse i panjohur i Evropës. Korrupsioni, shkalla e lartë e papunësisë dhe kriminaliteti karakterizojnë fytyrën e saj në perëndim. E gjithë kjo në një kohë që ky vend ofron edhe një frymë mediterane dhe një rast të veçantë ala Ballkan”, fillon artikulli, për të vazhduar më tutje me një lojë interesante fjalësh:  `Aare Sommaruga`, `Luzern Maurer`, `Engadin Berset`. Këtu autori aludon  në prirjen e shqiptarëve për t`u lënë fëmijëve të tyre emra qytetesh, lumenjsh etj. Ai u jep emrave shqiptarë alternativat e mundshme të emrave të vendeve zvicerane, kombinuar me mbiemrat e politikanëve zviceranë.

“Në Shqipëri fëmijët pagëzohen në mënyrë krejt të vetëkuptueshme me emra qytetesh të bukura, lumenjsh, vendesh. Kështu, Valbona Paja bart emrin e një lumi që rrjedh në zonat malore të verilindjes, shkruan Weltwoche, transmeton albinfo.ch. Me shkëmbinjtë e çelë dhe të thatë, me pyjet halore, me kontrastin e ngjyrave – Valbona me ngjyrë të bruzët – mund të rridhte fare mirë edhe në kantonin e Ticinos. “Verzasca Leuthard (aludim në lumin ticinez me emrin Verzasca dhe në mbiemrin e ministres zvicerane Doris Leuthard), vazhdon autori me aluzione.

Shqipëria vazhdon të jetë akoma një territor i panjohur, ndërsa deri në rrëzimin e regjimit, në vitin 1990 ishte pothuajse tërësisht e izoluar. Një Kore Veriore e Evropës, me një kult skurril personaliteti për diktatorin Enver Hoxha (1908-1985), i cili Shqipërinë e izolonte madje edhe në raport bllokun lindor socialist.

Nga fundi i sundimit të tij rreth dyzetvjeçar, Hoxha, i cili në Francë dhe në Belgjikë kishte studiuar drejtësinë, bëhet gjithnjë më paranoid. Ai e pastronte partinë me disa valë të përgjakshme dhe, nga frika e sulmeve që kërcënonin nga bota e jashtme, ndërtoi dhjetëra mijë bunkerë  të cilët edhe sot si kërpudha betoni mbijnë nga toka dhe shënojnë peizazhin, përcjell albinfo.ch. Hoxha dëshironte që popullin e tij ta shndërronte në një armatë partizanësh dhe t`i ofronte atij strehëza të panumërta për një luftë rraskapitëse, çfarë gjatë Luftës së Dytë Botërore jugosllavët e kishin zhvilluar me efekt kundër nazistëve.

Por, të bësh shaka me këtë bunkeromani nuk është korrekte. Në Zvicër, me rastin e ndërtimit të banesave edhe sot duhet të sillet dëshmia se banuesit do të kenë vend në një bodrum të mbrojtjes civile; pra një sistem ala Hoxha, i cili i është përshtatur në mënyrë diskrete Zvicrës: me u fsheh në vend se me u mbrojt.

Make-up-i i larmishëm i kryeqytetit

“Drurët këtu asnjëri nuk janë më të vjetër se 15-20 vjeç”. Deputeti nacional nga Gjeneva, Yves Nidegger, vështron alenë në afërsi të Sheshit “Skënderbej”, ku zhvillohet jeta politike dhe ekonomike e Tiranës. Ai ka qenë tashmë dy herë në kryeqytet, pak kohë pas rrëzimit të komunizmit, kur vendi kishte rënë përtokë. Pas kontrollit total po vinte vakumi i kaosit. Dimrit njerëzit prisnin drutë në parqe dhe rrugë për të siguruar  dru zjarri. Sot sërish oleandrat, blirët dhe pishat të mbrojnë nga vapa e verës shqiptare.

“Një aeroplan i vetëm në ditë aterronte atëbotë në Tiranë. Kur ne aterruam, pamë se si delet largoheshin prej aty, për t`u kthyer sërish që të kullosnin përgjatë pistë, pas largimit të aeroplanit”, thotë Nidegger dhe nënqesh, ashtu siç qeshin edhe të gjithë shqiptarët të cilëve ua rrëfen këtë. Ndërkohë ai gërmon nëpër fotografitë e vjetra  të kohës kur ai jepte këtu kurse të kontabilitetit dhe ministria ia kishte lënë në dispozicion dy kompjuterët e fundit ende funksionalë. Enver Hoxha e kishte lënë Shqipërinë të ngrirë diku në mes të karrocës së kuajve dhe industrisë së rëndë.

Njerëzit në Shqipëri atëbotë dukeshin 15 vjet më të moçëm se që ishin në fakt”, thotë Nidegger “dhe çdo gjë ishte ngjyrë hiri, një e përhirtë unifikuese socialiste”, shton ai Ndërsa tash Tirana shkëlqen në ngjyra të larmishme, sigurisht, jo pa dorën zyrtare, shkruan revista zvicerane. Ka qenë kryebashkiaku Edi Rama, sot kryeministër i vendit, ai i cili ia bëri make-up-in qytetit. “Rrugët u ngjanin korridoreve nga romanet e Kafkës”, kishte thënë Rama, i cili para karrierës së tij politike ka qenë një artist me njohje ndërkombëtare. Pas një kohe të gjatë e të errët, ngjyrat i kishin zgjuar njerëzit, duke i joshur që t`i ktheheshin sërish jetës.

“Fasadat i takojnë Edit por banesat pronarëve”, thotë me elokuencë ministrja për zhvillim ekonomik, Milva Ekonomi, në një anglishte të përkryer tek flet për projektet e qeverisë së re rreth reformues hapësinore, potencialit turistik të vendit dhe furnizimit me energji.

Shqipëria numëron rreth tre milionë banorë. Pothuaj të gjithë jetojnë në brezin e me rënie të butë buzë Adriatikut. Sipërfaqja e vendit është për një të tretën më e vogël se ajo e Zvicrës, ndërsa brutoprodukti vendor është pak mbi 4000 dollarë për kokë banori, ndërkohë që mesatarja e vendeve të BE-së është 28700 euro.

Bashkimi Evropian mbetet synimi i madh i një vendi të tërë. Ngado valon flamuri i kaltër me yje, para hoteleve, në ndërtesa publike, komuna madje edhe në vetë godinën e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Shkodër, qytetin më të rëndësishëm të veriut të Shqipërisë.

“Shefllëku” i burrave, kompetenca profesionale, e grave

Ndërkohë që vendet tjera të lindjes po distancohen nga politika e Merkelit për refugjatët (dhe nga imperativi moralist i BE-së). Shqipëria është e vullnetshme – por vetëm dhëndri në Bruksel sikur po ngurron!, thuhet më tutje në artikull, duke iu referuar aspiratave të shqiptarëve drejt BE-së.

Shkodra shtrihet në cepin  juglindor të liqenit të Shkodrës dhe këtu është realizuar projekti “Water Supply and Environmental Lake Protection of Shkodra”, ku bën pjesë një stacion me bazë biologjike për pastrimin e ujërave. Para rrethojës me tela, pret delegacioni lokal, drejtori me bashkëpunëtoret e tij, të gjitha femra, të veshur me elegancë, në mënyrë decente, përcjell albinfo.ch. Këtu këmbehen kartëvizitat, që është nderimi më i lartë në Ballkan. Me këtë përfundon pjesa e drejtorit. Drejtimin tash e merr një inxhiniere, në alternacion me një Valbonë të cilës i rri shumë mirë emri i lumit të regjionit. Në këtë vizitë, rolet janë definuara qartë: “shefllëku” është mashkullor ndërsa ekspertiza, femërore.

Impianti që kushton afër 2 milionë euro është bashkëfinancuar edhe nga Zvicra, siç mësojmë të nesërmen në takimin me kryebashkiaken Voltana Ademi, në selinë e saj.

Rreth ndërtesave të administratës së qytetit vlon nga byrotë e vockla të notariatit. Kushdo që kërkon një leje zyrtare ose ndonjë dokument çfarëdo, i drejtohet më mirë ndonjërit nga juristët e lidhur me kleptokracinë shqiptare.

Shqiptarët kanë prirje të dalluar për mësimin e gjuhëve të huaja

Edhe kryebashkiakja e flet një anglishte pa të meta ndërsa në Tiranë një burrë nga autoritetet e qytetit do të na përshëndeste italisht. Shqiptarët i ndjek nami se janë të talentuar për të mësuar gjuhët. Kjo ka të bëjë edhe me shumë fjalë të huazuara që ka shqipja, një gjuhë e cila deri në kohën e re pothuajse nuk kishte dëshmi të shkruara. Mirëpo gjuha në fakt flet shumë për historinë dhe kulturën e vendit: konsiderohet se rreth katër të pestat e fjalorit të shqipes vijnë nga latinishtja, italishtja, sllavishtja, greqishtja e re, rumanishtja dhe turqishtja (citimi Oliver Jens Schmitt). Këtu pasqyrohet gjallëria e jetës paralele me okupuesit dhe e ndikimeve. Kur ne pyesim se si shkohet në plazh(shqiptohet sikur në gjuhën frënge: Plage) na thonë: `Drejt`! Ngjashëm me rumanishten: `Drept` ose italishten: “Diritto”. Në hotel pret ashensorin për tu ngjitur në katet e larta, (që tingëllon po ashtu sikur në frëngjishte) etj.

Kryebashkiakja flet për nevojën që para së gjithash të rinjve t`u ofrohet një perspektivë. Kur ta humbin shpresën se do të bëhet më mirë, ata do të vazhdojnë braktisjen e vendit.

Puna e saj është të luftojë korrupsionin dhe njëkohësisht të përmirësojë shërbimet që i ofron shteti.

Pastaj na prezantohet projekti i pastrimit të ujërave të zeza: me powerpoint dhe dosje letre, një model i njohur, i kombinuar, ndërkombëtar. Kontributi i Zvicrës në këtë projekt vjen nga Sekretariati Shtetëror për Ekonomi (Seco).

Synimi është që Liqeni i Shkodrës, si më i madhi në Ballkan, të lirohet sa më shumë që është e mundur nga fekalet. Konstatohet se impianti pastron kanalizimin e disa paralagjeve me rreth 1500 banorë. Në Shkodër ndërkaq jetojnë gjithsej më shumë se 135.000 banorë. Kanalizimi i tyre derdhet drejtpërdrejt në një lum dhe prej aty në detin relativisht të afërt. Para se të kalojmë te impianti, pyesim për tualetin. Pas nja dhjetë minutash vjen dikush dhe na e sjell çelësin. Kapaku i wc-së është gjysmë i hapur, trarët e kthinës, të shkërmoqur. Në wc nuk ka fare letër ndërsa pullën për shpëlarjen e wc-së do ta shtypësh mëkot. Por prandaj aty ndodhen dy kova me ujë, të cilat mund të mbushen në çezmë… Në mes të power-pointit të prezantimit dhe realitetit mbetet një copë udhe goxha sfiduese…

Shqipëria dhe fqinjtë e saj grabitçarë

Në ndërtesën me klimatizim shumë të mirë të CDI-së (Cooperatuon and Development Institute) një “think Tank” i pavarur politikisht me seli në Tiranë flitet shumë për “potencialin e lartë” ose madje ”tepër të lartë”  të Shqipërisë. Minierat, turizmi, bujqësia, infrastruktura… slogane që flenë mirë. Sepse kush fillon nga zeroja doemos  që do të ketë potencial drejt lartësive. 

Shteti i Shqipërisë është i ri. Ai mundi të fitonte pavarësinë e tij vetëm në vitin 1912, pas shekujve të sundimit të huaj, së fundi atij osman. Vendi ishte pothuaj pa infrastrukturë moderne, pa asnjë industri, një djerrinë lufte, e rrethuar nga fqinj grabitçarë: nga “Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (Jugosllavia e mëvonshme);  Greqia e kapluar nga krizat dhe, pas vitit 1922, nga Italia fashiste – të gjitha këto lakmonin të shkëpusnin pjesë të vendit ose shfaqnin pretendime gjysmë koloniale (si Musolini).

Pas hutisë së fillimit, feudali nga Shqipëria e Mesme, Ahmet Zogu ia doli që me ndihmën jugosllave të merrte pushtetin. Në vitin 1928 ai e shpalli vetëm për “Mbret të Shqiptarëve”. Korridori i hotelit ”Rogner” në Tiranë është i zbukuruar nga fotografitë e regjentit të vetëshpallur. Ato e tregojnë Zogun në një gala uniformë të bardhë me gjoksin e mbushur me dekorata. Në një fotografi tjetër duket ai pranë bashkëshortes së tij, Gjeraldinës. Ajo, një bukuri aristokrate nga Hungaria, e mbështetur në një kolltuk, me krahë të zbuluar, me një diademë në flokë, e veshur me një fustan vezullues mbrëmjeje. Zogu shikon me një vrull të pikëlluar, sikur ta ndjente se së shpejti do ta humbiste fuqinë nga Musolini, i cili në vitin 1939 do ta aneksonte Shqipërinë. Mustaqet “hitleriane”  atëbotë në modë ndërsa sot, të paimagjinueshme, e përplotësonin monarkinë e arnuar prej operete të Zogut.

Në Tiranë sheh më pak gra me shami se sa në Zvicër!

Në mbrëmje, në korzo bëjnë xhiro makinat e rënda ”Audi” dhe bukuroshet shqiptare. Sikur më tutje, në fshatra, të mos dukeshin aty-këtu ca xhami të vogla me minare, kurrë nuk do të na shkonte mendja se popullsia këtu është me shumicë myslimane. Në aglomeracionet zvicerane mund të shohësh më tepër gra të mbuluara me shami se  sa këtu. Si shëtitja ashtu edhe vozitja ekzibicioniste e makinave këtu t`i kujton qytetet e jugut italian. Po ashtu edhe sharmi i shtëpive dhe rrugëve. Qielli ka një kaltërsi të tejdukshme dhe ngrohtësia verore rri pezull, e rëndshëm në ajër. Në kafene shërbehet esspreso me shkumën e përsosur ngjyrë gështenje të kaftë. Përfundimi për Shqipërinë është i përkohshëm: Ne, perëndimorëve na ofrohet  këtu një copë mënyre jetese mediterane me çmime paturpësisht të ulëta.

Vendit mund t`i dëshirohet që të shkurtojë rrugën në mes të potencialit nga Power pointi dhe kushteve reale – por, pa e humbur në këtë rrugë shpirtin e bukur e të ashpër ballkanik.