Bota

Drejtësia gjermane liron me kusht Puigdemontin: pezullohet ekstradimi

Akuza e Spanjës për "kryengritje", në sistemin juridik gjerman korrespondon me "tradhtinë e lartë". Por, sipas gjykatësve, për një akuzë të tillë nevojitet cilësia e "dhunës"

Ish presidenti Katalonjës, Puigdemont arriti një fitore të parë në konfliktin e tij me organet gjyqësore gjermane. Gjykata e Lartë e Schleswig-Holstein-it vendosi ta lirojë me kusht atë

Gjykata, në fakt kishte lëshuar një urdhër ekstradimi, por ekzekutimi i tij u pezullua me kushte. Pra, Puigdemont-i duhet të depozitojë një shumë prej 75.000 eurosh, bën të ditur gjykata në një deklaratë. Ai nuk lejohet të largohet nga Gjermania dhe çdo javë duhet të paraqitet në polici, shkruan deutschewelle.de. Se kur do të lirohet nga burgu i arrestit, kjo nuk dihet.

Senati ishte i mendimit se nuk mund të bëhet ekstradim për shkak të akuzës së “kryengritjes”; për akuzën e korrupsionit dhe abuzimit të fondeve publike. Pra, ekstradimi parimisht nuk rezulton i paligjshëm, arsyetojnë gjykatësit vendimin e tyre.  Prokuroria e përgjithshme e Schleswig-Holstein-it kishte kërkuar të martën lëshimin e urdhërit për ekstradim.

Nuk ka prova për  “tradhti të lartë”

Akuza e Spanjës për “kryengritje”, në sistemin juridik gjerman korrespondon me “tradhtinë e lartë”. Por, sipas gjykatësve, për një akuzë të tillë nevojitet cilësia e “dhunës”. Vërtet që ato akte dhune që ndodhën në ditën e referendumit i atribuohen të akuzuarit, si nismëtar i referendumit të pavarësisë. Por për nga “natyra, përmasat dhe efekti nuk kanë qenë të përshtatshme” për të ushtruar aq presion ndaj qeverisë saqë kjo ta shihte veten të detyruar “të kapitullonte para kërkesave të dhunëbërësve”, thuhej në arsyetimin e Gjykatës.

Gjykata e Lartë e Landit, veç të tjerash, konstatoi se nuk ka prova se Puigdemont-i do të persekutohet në Spanjë për arsye politike. Avokati i Puigdemont-it, Jaume Alonso-Cuevillas, kishte deklaruar të martën se do të dëshmonte se shteti spanjoll i kishte “shkelur të drejtat themelore” dhe se klienti i tij ishte një “i burgosur politik”.

Ish-presidenti rajonal i Katalonjës ishte njëmbëdhjetë ditë në paraburgim në burgun e Neumünster-it, në veri të Gjermanisë. Më 25 mars 2018 qe arrestuar në autostradën A7 në Schleswig-Holstein teksa kthehej nga vendet skandinave në Bruksel. Si bazë për këtë arrestim shërbeu një urdhër arresti i nxjerrë më parë nga Spanja që vlente për gjithë Europën.

Drejtësia spanjolle e akuzon 55-vjeçarin për kryengritje dhe abuzim me fondet publike. Akuzat vijnë si pasojë e referendumit të tetorit 2017 për pavarësinë e Katalonjës, të cilin e kishte ndaluar më parë qeveria qendrore në Madrid, ndërsa gjyqësori e shpalli në kundërshtim me kushtetutën. Më pas, parlamenti i atjeshëm deklaroi shkëputjen e krahinës nga Spanja.

Aktakuzë kundër ish-shefit të policisë së Katalonjës

Ndërkohë edhe kundër ish-presidentit të policisë katalonase është ngritur një akuzë zyrtare për “trazira”. Gjykata Penale në Madrid tha se Trapero ishte pjesë e një “organizate kriminale” që kishte për qëllim të ndante Spanjën nga Katalonja.

Gjykata ndërkohë pat ngritur akuzë për “kryengritje” edhe kundër dy zyrtarëve të policisë katalanase dhe një zyrtari të lartë të ministrisë së Brendshme në Barcelonë. Në rast dënimi të akuzuarve u kanosen 15 vjet burg.

Gjyqësori spanjoll i akuzon forcat policore të Katalonjës (Mossos d’Esquadra) se nuk ndërhynë kundër referendumit. Qeveria qendrore e pat shkarkuar Trapero-n në fund të tetorit. Një ditë më parë, Madridi e kishte marrë vetë në dorë kotrollin mbi krahinën ekonomikisht të fuqishme në veri të Spanjës.