Opinione

Drejtimi i globalizimit

Duke mësuar nga përvoja e disa vendeve të tjera, mospërfshirja e Shqipërisë në globalizimin ekonomik mund të jetë një shans më vete, sepse ende ekziston mundësia për të shmangur disa nga pasojat negative të tij

Siç ndodh rëndom në Shqipërinë paskomuniste, termi “globalizim” hyri në përdorim publik nga politikanët, të cilët ishin në kërkim të fjalëve të mëdha për të justifikuar veprimet e tyre të vogla, për t’i ngjasuar sadopak fjalorit bashkëkohor politik që përdornin kolegët e tyre në Evropën Perëndimore duke lënë përshtypje të thella te  qytetarët. Prandaj nga ligjërimi politik në Shqipëri nuk mund të mësojmë dot shumë gjëra për globalizimin.

Për fat të mirë, interesi për globalizimin po zgjohet edhe në grupe të tjera profesionale dhe dita ditës njerëz të specializuar në disiplina të ndryshme po merren seriozisht me ndikimet që ka globalizmi për shoqërinë shqiptare. Interesimi lidhet pjesërisht edhe me faktin se tani kanë filluar të ndihen pasojat e dëmshme të globalizimit: nëse deri pak kohë më parë nuk e kuptonim se për çfarë protestonin kundërglobalistët në Siatëll apo gjetkë, tani së paku bashkësia e sipërmarrësve shqiptarë po ndjen në kurrizin e saj se anëtarësimi aq i bujshëm i vendit në OBT, marrëveshjet rajonale të tregtisë së lirë dhe disa nga reformat e kërkuara nga EU, në rastin më të mirë, janë hapa të parakohshme dhe të dëmshme për kapitalin vendas.

Tre aspektet e globalizimit

Me “globalizim” zakonisht emërtojmë një sërë procesesh, të cilat shtojnë apo shpejtojnë lidhjet e pjesëve të ndryshme të botës me njëra-tjetrën, duke formuar një rrjet të vetëm marrëdhëniesh. Sipas statistikave tashmë bota është kthyer në një “fshat global”.

Tre aspektet më të rëndësishme të globalizimit dhe që përjetohen drejtpërdrejtë nga masat janë ekonomia, komunikimi dhe lëvizja e lirë.

Në rastin e ekonomisë, vlerësimi apo zhvlerësimi i parave në xhep varet nga luhatjet e bursave në Hong Kong apo New York, luhatje që po të jenë të vrullshme, si një tërmet global, mund të lëkundin dhe rrëzojnë rendin shoqëror që nga Indonezia deri në Argjentinë, nga Tokio në Britani e gjetkë, duke sjellë pasurim për disa dhe mjerim për shumë të tjerë.

Përsa i përket komunikimit global, me ndihmën e mediave psh. goditja e Kullave Binjake në Nju Jork apo kapja e Sadam Hyseinit u përcollën nga miliarda njerëz në gjithë botën.

Globalizimi është gërshetim i dukurive të ndryshme, të cilat së bashku ndikojnë në mënyrë rrënjësore në jetesën e njerëzve në planet, marrëdhëniet me njëri-tjetrin, kulturat apo institucionet. Kështu që ai nuk duhet parë thjesht si një fatalitet, por edhe si mundësi. Fundi i tij është i hapur dhe shumë nga aspektet që e shoqërojnë janë tepër kontradiktore. Prandaj, megjithëse një person apo grup personash nuk mund të zotërojnë plotësisht rrjedhën e globalizimit, nuk duhet të harrojmë se ai është krijesë e krijuar nga njerëzit. Kjo është edhe arsyeja parësore pse nuk duhet të pushojmë së rrekuri për të kuptuar në mënyrë të arsyeshme dinamikën dhe pasojat e tij.

Një pyetje e natyrshme që lind është: a është Shqipëria pjesë e globalizimit?

Përsa i përket komunikimit, ajo mund të quhet tashmë pjesë e rrjetit të komunikimit global. Një nga treguesit e fundit për këtë është përcjellja e programeve televizive shqiptare me anë të satelitit. Në rrafshin ekonomik çështja qëndron ndryshe. Treguesit kryesorë ekonomikë të globalizimit janë prodhimi për tregjet botërore, pjesëmarrja në financën globale dhe investimet e drejtpërdrejta të huaja (ang. foreign direct investments) nga ana e korporatave shumëkombëshe. Në të tre këta tregues Shqipëria shfaqet e dobët: tregtia e jashtme është e orientuar kryesisht nga Greqia apo Italia, me një hendek aq të madh ndërmjet eksporteve dhe importeve sa Shqipëria është kthyer në një shoqëri konsumuese. Financat dominohen nga kapitali grek, bursa e kapitaleve ende nuk është funksionale, kurse investimet e drejtpërdrejta të shoqërive shumëkombëshe thuajse nuk ekzistojnë.

Sot për sot, kapitalizmi shqiptar nuk është në gjendje të përballojë konkurrencën në disa sektorë të rëndësishëm të ekonomisë që kanë nevojë për mbrojtje nga ana e shtetit. Duke qenë se vetëmjaftueshmëria nuk është mundësi, atëherë shteti shqiptar duhet të bëjë çmos që për të fuqizuar kapitalin vendas duke ndjekur një hapje graduale, afatgjatë dhe të kontrolluar ndaj tregut global.

Rrjedhimisht mund të themi se në globalizimin ekonomik Shqipëria është në fazën  e vet fillestare. Nga ana tjetër duke mësuar nga përvoja e disa vendeve të tjera, mospërfshirja e Shqipërisë në globalizimin ekonomik mund të jetë një shans më vete, sepse ende ekziston mundësia për të shmangur disa nga pasojat negative të tij. Një hapje e menjëhershme dhe në një afat të shkurtër e vendeve në zhvillim ndaj ekonomisë globale sjell rritje të të ardhurave për të gjithë, por gjithashtu edhe një hendek të madh midis të pasurve dhe të varfërve, si edhe një hendek të madh midis këtyre vendeve dhe atyre të zhvilluara (e ashtuquajtura ndarje veri-jug e botës). Sipas të dhënave të Raportit të Zhvillimit Njerëzor të PNUD-it të vitit 1999, të ardhurat e vendeve të zhvilluara në vitin 1960 ishin 30 herë më të larta se ato të vendeve në zhvillim. Në vitin 1990 raporti u thellua në 60 herë, kurse në vitin 1999 shifrat e të ardhurave të vendeve të zhvilluara tregonin një diferencë 74 herë më të lartë se vendet në zhvillim. Ndaj globalizimi i vendit nuk duhet bërë me fanfara mediatike, por me përgjegjshmëri për qytetarët dhe brezat e ardhshëm.

Globalizimi dhe Kosova

Edhe në Kosovë, lëvizja e lirë si motor i globalizimit është aktualisht tema e ditës duke u parë jo vetëm si mundësi, por edhe si kontribut në rajon dhe mbarë Europën. Duke pasur parasysh numrin e madh të kosovarëve që po kërkojnë azil anembanë BE-së po del në pah nevoja për globalizim. Më shumë se shtatëdhjetë mijë shqiptarë kosovarë kanë aplikuar prej tetorit 2014 deri në mars 2015 për azil në Bashkimin Europian. Shumicës së tyre u është refuzuar kërkesa, meqë arsyeja e largimit ka qenë papunësia e madhe më fort se përndjekja politike. Papunësia në mesin e moshës prej 15 deri në 24 vjeçare në Kosovë ka fluturuar në 60.2 për qind, ndër më të lartat në botë, sipas Bankës Botërore. Në kulmin e zotimeve ekonomike nga ana e qeverisë, dy vitet e kaluara kanë qenë të stërmbushura me kundërthënie të vazhdueshme që e kanë zhytur Kosovën në krizë. Pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2014, dy partitë më të mëdha politike formuan koalicionin qeverisës; përkundër dëshirës dhe shpresës kolektive për një shkallë më të lartë stabiliteti, në terren ka ndodhur krejtësisht e kundërta. Qeveria ka përdorur shumicën e saj bindëse në Kuvend për të çuar përpara një seri masash krejtësisht jopopullore, si marrëveshja me Serbinë për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe (AKS) dhe Marrëveshjen për Demarkacionin e ri kufitar me Malin e Zi. E pafuqishme për të ndikuar nëpërmjet fuqisë së votës, opozita ka përdorur vazhdimisht gaz lotsjellës në sallë. Protestat në rrugë vazhdimisht janë shndërruar në trazira. Dhe nuk ka asnjë dyshim se populli ka vuajtur më së shumti. Në anketimin e kryer së fundi prej UNDP-së në Kosovë, vetëm 7 për qind e kosovarëve janë «të kënaqur» ose «shumë të kënaqur» me drejtimin aktual politik të vendit, derisa 70 për qind janë «të pakënaqur» dhe duan te largohen. Disponimi pozitiv qytetar ndaj institucioneve kryesore ekzekutive, legjislative dhe juridike tani është më e ulët se në kohën e shpalljes së pavarësisë më 2008.

Në këto kushte, ku nevojitet integrimi i tregjeve për të arritur maksimalizmin e mirëqenies globale, shqiptarët në përgjithësi duhet të luftojnë për të gjetur zgjidhje të zgjuara. Por, për të kryer këtë funksion nevojitet fuqizimi i institucioneve shtetërore, zbatimi rigoroz i rregullave të konkurrencës së ndershme dhe të kodit të punës, fuqizimi i financave me burime vendase, qëndrueshmëria politike, përkrahje për shtresat e varfra të prekura më rëndë nga reformat ekonomike si dhe hartimi i një strategjie kombëtare të pavarur nga ndryshimet e qeverive, me të cilën duhet negociuar me FMN, Bankën Botërore, BE, OBT dhe organizma të tjera ndërkombëtare.

Mbi të gjitha duhet kuptuar nga të gjithë se nevoja për shtetin kombëtar nuk dobësohet, por fuqizohet në epokën globale, sepse ai shërben si ndërmjetësues dhe rregullues midis tregut vendor dhe atij botëror.