E-Diaspora

Dren Abazi performoi në Cyrih për Ditën e Flamurit

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

Eshtë hera e parë që vjen në Cyrih, madje as si turist nuk e ka vizituar Zvicrën.

Eshtë fjala për Dren Abazin, i cili ka sjellë për Ditën e Flamurit për shqiptarët e Zvicrës një mbrëmje live me “Zig Zag Orchestra”.

Abazi po vinte nga një koncert gala tjetër nga Dyseldorfi, të një niveli shtetëror në Gjermani.

„Zig Zag Orchestra” është një grup, tanimë i njohur për muzikë origjinale, të ndërthurur me xhazin dhe ritmet ballkanike.

Këngëtari i njohur i estradës kosovare me kitarë në dorë ka performuar të shtunën mbrëma për disa orë në një koncert live në Cyrih, në organizim të Dieferent Schow të Fatmir Hazirit.

Thotë të ketë përshtypje të mira për koncertin në Cyrih, madje edhe për pritshmërinë thotë të ketë qenë reale.

„Janë përmbushur pritjet e mia duke e ditur konkurrencën e madhe të muzikës tjetër në diasporë. Fatkeqësisht, shumica janë të orientuar në një muzikë tjetër. Mirëpo, megjithatë jamë i lumtur se kishte mjaft mysafirë që kanë ardhur enkas për muzikën time“, thotë në një pronocmim për albinfo.ch Dren Abazi, duke e vlerësuar si të guximshme iniciativën e organizatorit që e ka bërë të mundshme këtë koncert, po edhe koncertet e tjera të muzikës alternative.

Ai kishte përzgjedhur një repertor më festiv për shkak të festave në nëntorit, duke e interpretuar madje edhe himnin kombëtar të shqiptarëve bashkë me “Zig Zag Orchestra„.

Megjithatë thotë se të njëjtin format e kishte ofruar në Paris, Prishtinë po edhe në Cyrih.

Për këngëtarin, i cili njihet për muzikën e tij ndryshe, koncerti në Cyrih ka qenë mjaft mirë i organizuar dhe i ngrohtë.

„Koncerti im shpresoj të ketë lënë gjurmë te audienca e këtushme. Duket të ketë dalë në pah edhe një muzikë tjetër që ka qenë e privuar nga organizimet e tjera në diasporë për arsye të ndryshme për shkak të orientimit që ka pasur masa, që nuk është parametër i vlerësimit të vlerave“, tha Dren Abazi, duke potencuar se orientimi më i madh i këtushëm është nga muzika e ashtuquajtur „tallava“.

„Kjo që kam parë sot më ka frymëzuar dhe më ka dhënë shpresë se këtu ka edhe njerëz të mirë dhe duhet të jetë në kuadër të ruajtjes së vlerave të kulturës sonë shqiptare“, deklaroi Abazi.

Ai për fund ka uruar shqiptarët për Ditën e Flamurit.

Koncerti i Dren Abazit ishte paraparë të mbahet më 26 shtator në Cyrih, por ishtë shtyrë për 28 Nëntor për shkak të problemit të vizave. Të njëjtin fat e kishin edhe rok grupi „Troja”, i cili kishte planifikuar të mbante një koncert të përbashkët me Dren Abazin.