E-Diaspora

“Duaje ose lëre”, ekspozitë e Mentor Ejupit Toro në Hamburg

Hapja e ekspozitës bëhet të premten me 21.04 dhe do të qëndrojë e hapur për publikun deri me 14 Maj 2017

Pas ekspozitës kushtuar Nënë Terezës  vitin e kaluar, artisti me prejardhje nga Prishtina vjen para artdashësve europianë me ekspozitën e radhës „Love it or leave it“. Kësaj radhe është përzgjedhur hoteli privat „Lindtner“ në Hamburg, si qendër e Rotary Club njëherësh qendër e artit bashkëkohor ndërkombëtar. Ai, me vite të tëra njihej edhe si rezidenca e artistit me përmasa ndërkombëtare Kamendy i cili ka ndërruar jetë para dy vitesh.

Të premten më 21 Prill nga ora 19:00 do të hapet ekspozita e Mentor A.Ejupi Toro si fillim i ri i traditës së këtij hoteli me dashuri të veçantë ndaj artistëve ndërkombëtarë.

„Duaje ose lëre“ është një ekspozitë me 20 piktura të punuara në formate të mëdha në teknikën e vajit në kanavac. Motivet e punëve janë të bazuara në historinë qindra vjeçare të qytezës që deri para Luftës së Dytë Botërore i takonte Mbretërisë së Hanoverit dhe se me ligjin e nazistëve iu bashkëngjit metropolit 2 milionësh, Hamburgut, bashkisë së të cilit i takon edhe sot e asaj dite.

Ky titull i është vënë ekspozitës nga ana e Toros si shenjë proteste apo si dashuri-urrejtje ndaj situatës aktuale, si asaj politike dhe sociale po ashtu në veçanti në shenjë të planifikimit të hapësirës dhe jetës urbane.

„Kur shoh fotografitë e paraluftës dhe i krahasoj me gjendjen aktuale të qytetit tim ku jetoj që 24 vite, më vjen të eksplodoj nga zemërimi“ -shprehet Toro ; duke vazhduar “nuk ka bërë lufta dëme sa kanë bërë drejtuesit e planifikimit urban dhe arkitektët me shije depresive“. Kështu u shpreh artisti nga Kosova sot në konferencën e shtypit në Hamburg.

Foto: Niels Kreller