Kultura

Duartrokitje të gjata për Lule Elezin dhe Alban Pengilin

Të dy artistët janë përshëndetur me duartrokitje të gjata nga publiku i cili nuk i ka lejuar të zbrisnin nga skena pa i përsëritur interpretimet

Koncertin e kanë shpallur të hapur Dieter Lüttke dhe Oliver Coppeneur. Ata, në serinë e koncerteve klasike “Mysafirë Coppeneur” në Bad Honnef kanë përshëndetur artistët e njohur ndërkombëtarisht Lule ELezi (piano) dhe Alban Pengili (violinë), shkruan diebadhonnefer.de.

Dy artistët shqiptarë, koncertin e kanë filluar me vepra të kompozitorëve si Giuseppe Tartini, Niccolo Paganini, Fritz Kreisler, Manuel de Falla dhe Pablo Sarasate, transmeton albinfo.ch. Në interpretimet e të gjitha këtyre veprave ata kanë prezantuar një lojë të përbashkët harmonike që të bënte të mendoje se ata paraqiten me vite së bashku në koncerte, edhe pse në fakt kjo ishte vetëm hera e tretë që ata kanë bërë muzikë së bashku.

Lule Elezi, me interpretimin në solo të dy krijimeve të Beethovenit dhe Chopinit në piano ka dëshmuar se ajo me të drejtë është një artiste e mirënjohur në skenën botërore, shkruan më tutje gazeta. Interpretimi muzikor i dy krijimeve të bënte të ëndërrosh.

Alban Pengili dëshmoi, nga ana tjetër teknikën e tij të përsosur dhe virtuozitetin në violinë, duke interpretuar veprat e sofistikuara të kompozitorëve si Henri Wieniawski, Tschaikovski dhe Camil Saint-Seans.

Të dy artistët janë përshëndetur me duartrokitje të gjata nga publiku i cili nuk i ka lejuar të zbrisnin nga skena pa i përsëritur interpretimet.