Sport

Dueli i shumëpritur për boksierin shqiptar

Boksieri shqiptar, Mike Gjetan Keta që garon në peshën super të mesme, numëron 24 ndeshje në karrierën si profesionist me 21 fitore, 17 prej të cilave me nokaut

Boksieri shqiptar, Mike Gjetan Keta, të shtunën më 3 dhjetor, do të ketë një meç shumë të rëndësishëm në karrierën e tij, ku do të ballafaqohet me gjermanin, Vincent Feigenbutz për titullin vakant Interkontinental të Federatës IBF, shkruan albinfo.ch.

 

21-vjeçari gjerman që cilësohet një nga shpresat më të mëdha të ringut vendas, do të presë në Karlsruhe boksierin shqiptar që kërkon të hedhë një hap të madh në karrierën e tij.

 

“Mike Keta është një profesionist dhe si çdo kundërshtar ka respektin tim. Ai është një hero në vendin e tij në Shqipëri, por unë dua ta fitoj këtë titull për vendin tim, Gjermaninë”, shtoi 21-vjeçari i lindur në Karlsruhe.

 

Në krahun tjetër, boksieri nga Bulqiza u tregua më i përmbajtur duke theksuar se e respekton kundërshtarin, por ai ka objektiv vetëm fitoren në këtë duel.

 

Kjo përballje është një prej më të rëndësishmeve në karrierën e Gjetan Ketës. Boksieri shqiptar që garon në peshën super të mesme, numëron 24 ndeshje në karrierën si profesionist me 21 fitore, 17 prej të cilave me nokaut. Në krahun tjetër, Vincent Feigenbutz numëron 29 ndeshje me vetëm dy humbje në karrierën e tij.