Integrimi

Dy muaj pas transplantimit të mushkërisë, Arta vrapon si të gjithë moshatarët e saj

Për vitin e ri që është në prag, ajo dëshiron të mbarojë shkollën dhe që pastaj të fillojë shkollimin për arkitekturë

Rreth dy muaj më parë, Arta Shabani, shqiptarja 16 vjeçe nga Bazeli. me prejardhje nga Kosova ka bërë hapin më të madh në jetën e saj: transplantimin e mushkërisë. Ajo vuante nga një sëmundje e rrallë, fibroza cistike e shkaktuar nga një defekt gjenetik, siç ka shkruar edhe albinfo.ch. Operimi i saj ka bërë jehonë të madhe në shtypin zviceran, edhe për faktin se Arta kishte qenë shumë aktive në rrjetet sociale sidomos në instagram.

Me mushkëritë e saj të reja, Arta thotë se më në fund është në gjendje t`i bëjë të gjitha ato veprime që janë kaq të nënkuptueshme për moshatarët e saj. Për shembull, ajo mund të vrapojë për të zënë trenin, është shprehur në një bisedë që ka pasur me emisionin e “Tele Züri “, “Talk Täglich”.

“Po të mos e gjeja mushkërinë e re ato ditë, unë mbase nuk do të isha këtu”, ka thënë ajo duke menduar se mund të mos jetonte më, pasi që gjendja e saj shëndetësore ka qenë kaq kritike.

Sidoqoftë, ajo e ka hedhur prapa këtë histori të saj të dhembshme dhe sot ndihet më mirë se kurrë, tramsmeton albinfo.ch. “Unë dëshiroja vetëm një mushkëri të re dhe të lirohesha më në fund nga kollitjet. Kur shoh se vlerat më rezultojnë mirë, atëherë besoj se kështu dhe do të mbetet”, thotë Arta.

Për vitin e ri që është në prag, ajo dëshiron të mbarojë shkollën dhe që pastaj të fillojë shkollimin për arkitekturë.

Ajo e dokumenton historinë e saj në konton e instagramit “Artiproblems”, ku ka tashmë 36000 ndjekës.