Kosova

Dyshime se paratë për kurbanet u keqpërdorën nga BIK-u

Bashkësia Islame e Kosovës për kurbanët 2017 ka deklaruar se ka paguar afro 17 euro për një kilogram të mishit të lopës, ndërsa në tregun kosovar një kilogram mish kushton 7 euro

Bashkësia Islame e Kosovë (BIK) edhe këtë vit ka lënë hapësirë dyshimi me blerjen dhe therjen e kubanëve për festën e Bajramit të Vogël. Dyshimet për korrupsion brenda klerikëve kanë ndodhur pasi BIK-u, si zakonisht, këmbëngul që te biznesi me kurban ta mbajë monopolin, madje kur një person tjetër i bëri konkurrencë, BIK reagoi ashpër kundër tij.

Siç raporto Express, Bashkësia Islame e Kosovës për kurbanët 2017 ka deklaruar se ka paguar afro 17 euro për një kilogram të mishit të lopës. Kështu, sipas të dhënave doganore BIK deri tash ka importuar nga Hungaria si mish të kurbanëve  14408 kilogramë dhe për ta ka deklaruar se kanë një vlerë prej 239191 eurosh, që të përllogaritura bashkë del që vlera e një kilogrami të mishit të gjedhit  në këtë kontingjent është 16.60 euro.

Vlera e mishit cilësor në mishtoret e vendit, sipas këtij mediumi, sillet mbi 7 euro për kilogram, apo 10 euro më lirë se sa ajo që BIK-u ka deklaruar që e ka blerë ne Hungari.

Edhe pse financat e BIK vazhdojnë të mbesin sekret, nga publikimet zyrtare të kësaj bashkësie del që biznesi me kurbanë për këtë vit ka kapur një vlerë afro 1 milion euro- vetëm para të mbledhura nga qytetarët.

“Sivjet nga Kryesia e BIK do të behën kurban mbi 1000 kafshë – lopë”, thuhet në një komunikatë më të hershme të BIK derisa ditët e fundit ata kanë njoftuar se numri i kurbanëve që ata kanë therur është 8218, që nëse përllogariten me vlerën prej 120 euro për secilin, del që vlera e krejt kontingjentit të sivjetmë është afro 1 milionë euro.

“Sasia e mishit që ka arritur në Kosovë, u është shpërndarë familjeve në nevojë përmes Shoqatës “Bereqeti” gjithandej Kosovës. Deri në këtë moment janë shpërndarë mbi 15 tonë mish, ndërsa do të vazhdohet me shpërndarje sapo të arrijë edhe kontingjenti tjetër”, thuhet në një komunikatë të BIK të publikuar më 15 shtator.

“Xhemati i Drenasit, Komoranit dhe disa xhamive tjera është duke u privuar qe dy vite në shpërndarjen e mishit të kurbanit, kjo është poshtërsi e kësaj shoqata apo këtyre qe janë ne KBI ne Drenas. Edhe një punë po vërehet se kjo shoqatë për Drenasin përmend kilogramët 2290 ndërsa për këshillat tjerë pakot kësaj po i vije era dallavere!”, ka deklaruar në një status në facebook Osman Musliu, imam i BIK në Drenas.

Ai thotë madje se vërejtjen në fjalë ia ka përcjell edhe “përfaqësuesit të Bereqetit dhe sekretarin apo përgjegjësitë të kësaj shoqate pranë KBI Drenas, Eset Bajaraktarin, por ai nuk ka dhënë shpjegim”.

Për më shumë, për kurbanët që kosovarët kanë paguar që të therën nga BIK pos që ka mungesë transparence dhe janë duke u vonuar, janë anashkaluar fermerët vendas. BIK-u ka vendosur që këtë biznes ta bëjë me hungarezët, dhe për këtë më 16 maj 2017, BIK pati shpallur një tender, por nuk ka një publikim shtesë për të bërë me dije se cila kompani fitoi, dhe cilat kompani ishin në garë.

Ata zgjodhën hungarezët për këtë punë dhe Kasim Gërguri nga BIK tha publikisht që “jo që nuk ka thertore në Kosovë, por janë frikësuar nga kualiteti i kurbanëve”, diçka që në një prononcim për Klan Kosova ishte kundërshtuar nga Agjencia e Ushqimet dhe e Veterinës e Kosovës.

Lamir Thaçi nga kjo agjenci kishte thënë që edhe BIK e dinte që “askush në agjenci nuk ka thënë që kafshët në Kosovë janë të sëmur”.

BIK në qendër, kryesia e saj që udhëhiqet nga Myftiu Naim Tërnava pak para festës së Kurban Bajramit pati madje edhe konkurrencë në biznesin me kurbanë. Ernest Goga, vëllai i Kryeimamit nga Peja, Enes Goga kishte organizuar po ashtu shitjen e kurbaneve, por në vend të çmimit prej 120 eurosh sa qytetarëve u kërkohej të paguanin në BIK, ai ofronte zbritje të konsiderueshëm.

Ernest Goga ofronte kurbanë për veç 85 euro.

BIK për këtë ndërhyrje në biznes kishte reaguar ashpër duke dërguar madje edhe komunikatë shtypi, dhe “Kurbani është dispozitë Fetare – mos bien në lajthitje nga individë të ndryshëm”, thuhet që në fillim të saj.