Kultura

“E kisha artin për ta gjetur lirinë”

Fatmir Neziri ka shumë vite që jeton e krijon në Francë duke ndjekur ëndrrën e artit përmes të cilës thotë të ketë gjetur lirinë

Të pikturosh, të vizatosh, të kesh një atelie që i ngjan një laboratori ngjyrash e metaforash, kjo është një pasuri e madhe që shprehet me një përkushtim të lartë përmes misionit që quhet art. Fatmir Neziri, i riu i dikurshëm ferizajas me një bagazh të pasur politik, akademik e artistik, ka shumë vite që jeton e vepron në Francë duke ndjekur të njëjtin vizion me art, me brushë, me ngjyrë, për ti dhënë jetës sa më shumë motiv.

Ekspozita e tij e parë në Francë u hap në dhjetor të vitit 2012 në Annecy në qytetin ku jeton, ku Fatmiri ka prezantuar piktura kryesisht realiste ekspresioniste. Pastaj ka ekspozuar në vitet 2013, 2014, 2015 e 2016 së bashku me djalin e tij Artin

I pyetur se, duke jetuar në Francë a ndjehet më “ndërkombëtar” si artist, Fatmir Neziri shprehet për albinfo.ch: “E vërtetë që ndjehem i tillë. Por i riu e sidomos artisti gjithmonë ka vizione, ndërkaq ngado që të ikësh mbetesh rrënjë e trungut autokton”.

Arti është një kulisë ëndrrash, por a ishte pikturimi ajo muza që i ndihmonte për të shprehur realitetin e jetës që shtypej nga censura e pakohës? “Ne jemi të lindur të ngremë zërin përmes ngjyrës dhe sa më shumë shtypemi  apo censurohemi, aq më shumë krijojmë. Ne jemi shpirti i ujërave të thella, ku fshihen stoli të ndritshme. Për gllabëruesin ne bëhemi verbues, e të verbrit i japim dritë”, shprehet ai.

  • Pikturat që pasqyrojnë mallin për atdhe

Fatmiri Neziri sot ka një emër në art, falë talentit dhe vijës së tij artistike që përvijohet në pikturat e tij, që nga ato me motive atdhetare e deri te ato imagjinare. Piktura e Sefë Koshares zë një vend të dashur në atelienë e tij. “Vërtet që motivi atdhetar zë një vend të theksuar në opusin tim krijues, sepse ne jemi nga rrënja, por ajo që më zbavit dhe më fut në thellësinë e bukurisë së ngjyrave është imagjinata ime ëmbëlsisht e “djallëzuar”.

Në vendlindjen e tij, në Ferizaj nuk ka lagje ku nuk gjendet një pikturë e artistit Fatmir Nezirit, por edhe në pikturat e tij në mërgim shikuesi e ndjen mallin e tij për atdhe të shprehur me dhunti të veçantë artistike.

Fatmiri tregon për albinfo.ch se përveç me pikturë, së bashku me bashkëshorten e tij është shumë i angazhuar për shkollën shqipe. “Bashkëshortja ime dhe unë kemi hapur një shkollë në gjuhën shqipe me emrin “Iliria”. Ne kemi nxënës të zellshëm, pastaj kemi formuar grupin e recituesve, valltarëve dhe grupin dramatik. Kjo na e ngjyros jetën, na e mrekullon ambientin. Jemi të kënaqur e frymojmë më lehtë”.

  • “E sfidoj të keqen, e madhëroj të madhërishmen”

Arti i Fatmirit është shumë individual. I pyetur se sa kohë i duhet për t`i dhënë tërë shkëlqimin shpirtëror një pikure, Fatmiri për albinfo.ch thotë: “E tëra varet nga tema që do ta rrah, por individualiteti im është i veçantë në aspektin e formulimit te ngjarjes, sepse unë nuk tentoj ta thjeshtoj realitetin objektiv, përderisa kompleksiteti subjektiv është i thelle dhe pushton mendjen time. Dhe vetëm atëherë shpirti im i jep kuptim  jetës në pikturë. E sfidoj të keqen. E madhëroj te madhërishmen”.

Vizitori i faqes apo ateliesë së tij e ndjen perfeksionizmin në secilën pikturë e në secilin portret. Por sa është e vështirë të jesh prind, bashkëshort, dhe njëkohësisht edhe artist? “Njeriu në jetë mundohet të jetë komplet dhe unë po ashtu përpiqem të jem i tillë. Nuk do të mund të krijoja me shpirt po të mos e kisha përkrahjen e familjes time. Flora, i dhuron lule jetës time, Ylli, mi ndriçon zonat e errëta në këtë jetë, Blerina ma bleron fushën e imagjinatës krijuese dhe Arti ma pasuron penelin”.

Fatmiri pikturon njerëzit aq saktë saqë shikuesi nuk ndjehet i vetëm në atelienë apo në galerinë e tij. Portretet e tij të dhurojnë emocione, të flasin me ngjyra, vija, gjestikë e dashuri.

  • Detyra e artit, të nxjerrë në dritë atë që nuk e shohim

“Arti është ndërgjegjja e njerëzimit” ka thënë shkrimtari gjerman Christian Friedrich Hebbel, “sekreti i artit është të korrigjojë natyrën” ka thënë filozofi francez François-Marie Arouet, ndërsa Fatmir Neziri, artisti shqiptar në Francë, ka një mendim tjetër për artin. “Për mendimin tim natyra është e përsosur dhe arti për mua është të nxjerrim në dritë atë që ne nuk e shohim. Para syve tanë ne e kemi mrekullinë dhe shpeshherë nuk e shohim, e kemi të madhërishmen dhe prapë nuk e shohim.  Por kemi dhe diçka para syve tanë e që nuk mundemi thjesht as ta emërtojmë dhe qëllimi i artit është që t’i japim identitetin e saktë. A nuk është arti vetë mrekullia?

Por ku ndjehet Fatmiri më i fuqishëm: si ndërmjetësues kulture, si politikan, si kritik, si prodhues? “Kultura u mboll që moti, e unë jam i lindur për ta ujitur lulen e kulturës. Jam një kopshtar kulture. E po ja që politika më hyn, desha apo nuk desha unë, në mendjen time, për të ma ngacmuar shpirtin rebel prej patrioti. Por, në të vërtetë kjo më shtyn tutje për të krijuar, për të kapur hapësira të gjera, për t’u ngjitur deri atje lart, ku mund të bërtas fuqishëm pa e lënduar koloritin e shpirtit të vërtetë. Unë nuk mund të mos kritikoj (por jo shumë), sepse po nuk e thash të vërtetën, misioni im nuk ka kuptim, mbetet i verbër, e unë shoh dhe flas, por flas edhe me ngjyrën e qiellit…”

 

Në art nuk më duhet asnjë kod hyrës

A është liria dhe realja ajo që e ka gjetur Fatmiri brenda artit, apo prej nga vjen i tërë ky bagazh idesh e figurash të krijuara e të riprodhuara “Është liria ajo që më bën real. E unë e pata shumë të lehtë për ta gjetur lirinë, sepse e pata artin. Bagazhi im artistik është i pashtershëm, aty nuk më duhet asnjë kod hyrës, aty unë jam i depërtueshëm, i pacensuruar. A nuk jam i lirë?