CH-Ballkani

Ecje në borë për të gjithë

Përtej Brezovicës që ofron shtigje skijimi dhe natyrë të bukur e me një infrastrukturë të vjetruar, në ambientin, ndoshta, të vetëm multietnik në Kosovë, dimri në Kosovë ofron edhe “Snowshoes”, apo “Raquette” në bjeshkët e Rugovës

Një aktivitet dimëror i përshtatshëm për familjet dhe për sportistët e po edhe për ata që nuk janë dhe “aq” sportistë, pasi nuk duhet ndonjë përgatitje paraprake për ta përjetuar një ecje nëpër borë të pashkelur në mes të pamjeve spektakolare të Rugovës.

Turet fillojnë në fshatin Boge, dhe së shpejti duke ecur do të largoheni nga tollovia e krijuar nga skitarët që shfrytëzojnë skiliftin 1 kilometërsh, dhe do të futeni në një zonë të bukur dhe të kursyer nga ndërtimet dhe prerja e drurëve.

Turi prej 2 deri 4 orë ofron një përvojë unike dimërore që të shihen peizazhet e bukura dimërore, në një shteg të sigurt dhe jashtë rrezikut të ortekëve. Është më mirë se hiking pasi peizazhet dimërore janë gjithmonë unike. Përfundimi i turit të snowshoes mund të bëhet me një darkë tradicionale në shtëpitë e adaptuara në fshatin Drelaj.

“Ne kemi filluar të ofrojmë shërbimin e snowshoes në masë të madhe gjatë vitit të kaluar. Më parë kemi pasur pak grupe, por me forcimin e marketingut kemi arritur që të tërheqim shumë vizitorë gjatë vitit të kaluar”, thotë për albinfo.ch Nol Krasniqi, pronar i Kompanisë Balkan Natural Adventure nga Peja.

Gjithçka varet nga sasia e borës

“Ne më parë kemi krijuar një përvojë dhe kemi gjetur shtigjet e përshtatshme për snowshoes, me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë, tash kemi ngritur nivelin e shërbimit dhe kemi vetëm klientë të kënaqur. Kështu mendojmë të vazhdojmë edhe në fund të vitit 2016 dhe vitin 2017”, pohon ai.

Gjatë vitit të kaluar përvojat me snowshoes kanë filluar në fund ta janarit pasi nuk ka pasur borë, por ato kanë vazhduar gati deri në muajin prill. Këtë vit malet janë zbardhur, mirëpo sezoni nuk ka filluar ende.

“Ndoshta është ngrohja globale. Nuk e dimë mirëpo moti është shumë pak i qëndrueshëm dhe nuk mund të themi se kur do fillojë sezoni dhe deri sa do të vazhdojë ai”, ka shtuar Krasniqi.

Kompania Balkan Natural Adventure është tur operator nga Kosova që ofron një sërë të shërbimeve të turizmit malor dhe kulturor në Kosovë. Kompania është krijuar në vitin 2015 dhe që atëherë ka arritur të krijojë një bazë të mirë të klientëve dhe të rangohet si atraksioni numër 1 outdoor në Kosovë në portalin Tripadvisor për Kosovë. Ndërsa është atraksioni numër një i të gjitha kategorive në Pejë.

Në Balkan Naural Adventure thonë se ky rangim është bërë falë përpjekjeve të vazhdueshme të kompanisë.

Mysafirët nga diaspora vijnë bashkë me miqtë e tyre nga vendet ku jetojnë

“Ne jemi të koncentruar në shërbim të mirë. Mendojmë se si kompani kosovare duhet të mundohemi dyfish për të fituar besimin e klientëve ndërkombëtarë”, thotë Noli. “Për këtë arsys kujdesemi që klientëve të ju dërgojmë e-mail dhe të kërkojmë nga ta që të ndajnë përvojat e tyre me botën përmes tripadvisor. Tash aty kemi komente nga e tërë bota në gjuhë të ndryshme që krijon një siguri te mysafirët tanë”.

Sa i përket diasporës Noli thotë: “Ne kryesisht mysafirët i kemi diplomatë dhe punëtorë ndërkombëtarë të vendosur në Kosovë. Pastaj vijnë turistët që vizitojnë Kosovën në kuadër të udhëtimeve rajonale, e në fund edhe klientët lokalë dhe diaspora”.

“Mysafirët nga diaspora kryesisht vinë kur kanë edhe shoqërim të miqve të tyre nga vendet ku ata jetojnë, dhe gjithsesi se përvojat janë të mira”.

Këtë dimër presim që diaspora të provojë Snowshoes dhe të shpërndajë përvojën e vet në faqet  në mediat sociale, kjo gjithsesi se do të rrisë imazhin e Kosovës dhe të vet diasporës”.

Si kompani kosovare, duhet të angazhohemi dyfish!

“Mendojmë se si kompani kosovare duhet të mundohemi dyfish për të fituar besimin e klientëve ndërkombëtarë”, thotë Noli. “Për këtë arsys kujdesemi që klientëve të ju dërgojmë e-mail dhe të kërkojmë nga ta që të ndajnë përvojat e tyre me botën përmes tripadvisor. Tash aty kemi komente nga e tërë bota në gjuhë të ndryshme që krijon një siguri te mysafirët tanë”.

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/ecje-ne-bore-per-te-gjithe/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.