Zhvillim

Edhe 54 të rinj nga Kosova fillojnë shkollimin profesional me punë në Gjermani

Për t`iu dëshiruar mirëseardhje, në aeroportin e Shtutgardit ishin të pranishëm edhe Konsujt nga Konsullata e Republikës së Kosovës në Shtutgard z. Arjan Kashtanjeva dhe z. Besnik Miftaraj

Sot, në aeroportin e Shtutgardit arriti një grup i nxënëseve prej 54 kandidatëve nga Kosova të cilët do të qëndrojnë në hospitim, fillimisht prej 10 ditëve, ku do të njoftohen me punën dhe punëdhënësit e tyre të ardhshëm dhe nga shtatori i këtij viti do të fillojnë me shkollim/punë.

Siç bën të ditur Konsullata në Shtugard në një njoftim për albinfo.ch, projekti i realizuar nga APPK në bashkëpunim me Diakonie Baden-Württemberg siguron që gjatë tri viteve të ardhshme nxënësit do të kryejnë shkollime profesionale në fushën e kujdesit ndaj të moshuarve.

“Nxënëseve do t`u ofrohet një shkollim dual, ku krahas ligjëratave ata do të kenë edhe punën praktike. Organizatorët kanë siguruar, që këtyre kandidateve t’u behet ekuivalenca e diplomave shkollore nga Kosova dhe këta do të trajtohen të barabartë me nxënësit e tjerë të mësimeve në Gjermani. Gjate tri viteve të shkollimit, kandidatëve iu është siguruar banimi dhe paga mujore. Pas përfundimit të këtij shkollimi trevjeçar, kandidatët të cilët përfundojnë me sukses shkollimin, do te kenë mundësinë e vazhdimit respektivisht lidhjen e një kontrate pune dhe qëndrimit në Gjermani”, vazhdon më tej njoftimi.

Për t`iu dëshiruar mirëseardhje, në aeroportin e Shtutgardit ishin të pranishëm edhe Konsujt nga Konsullata e Republikës së Kosovës në Shtutgard z. Arjan Kashtanjeva dhe z. Besnik Miftaraj, të cilët falënderuan organizatoret nga APPK z. Bedri Xhafa me stafin e tij dhe nga Diakonie Baden-Württemberg z. Johannes Flothow, si dhe punëdhënësit e ardhshëm të kandidateve.

Gjatë fjalimeve të tyre Konsulli z. Kashtanjeva dhe z. Miftaraj vlerësuan rendësinë e këtij bashkëpunimi dhe shprehën gatishmërinë, që bashkëpunimet e tilla te intensifikohen në të ardhmen. Po ashtu argument mbështetës ishte edhe prezantimi nga z. Flothow, i cili potencoi që 27 kandidatët nga viti i kaluar janë duke e ndjekur me sukses shkollimin profesional, përcjell albinfo.ch njoftimin e Konsullatës së Ksoovës në Shtutgard.

Z. Xhafa prezantoi ecurinë e projektit dhe që dyfishimi i numrit të kandidatëve pasqyron suksesin e kandidatëve paraprakë po ashtu falënderoi bashkëpunëtoret në APPK për punen e tyre ne realzimin e ketij projekti. Konsujt z. Kashtanjeva dhe z. Miftaraj gjatë bashkëbisedimit me kandidatët ofruan gatishmërinë e tyre për të qenë në dispozicion, kur këta kanë nevojë. Kandidatët ishin shumë të lumtur për mundësinë e dhëne dhe së bashku me punëdhënësit e tyre të ardhshëm u shpërndanë nëpër qytetet e ndryshme të Baden-Württembergut, përfundon njoftimi.