Shqipëria

Edhe 9 shtete pa viza në Shqipëri

Qytetarët që do të përfitojnë nga kjo, janë nga Rusia, Arabia Saudite, Bjellorusia, Gjeorgjia, Katari, Omani, Tajlanda, Kina dhe Bahrejni

Nga fillimi i muajit prill deri në fund të muajit tetor të këtij viti, shtetasit e nëntë vendeve të ndryshme në botë do të përfitojnë nga hyrja në Shqipëri pa viza.

Qytetarët që do të përfitojnë nga kjo, janë nga Rusia, Arabia Saudite, Bjellorusia, Gjeorgjia, Katari, Omani, Tajlanda, Kina dhe Bahrejni. Kështu thuhet në një njoftim zyrtar, përcjell albinfo.ch.

“Në aneksin nr. 3, “Lista e shteteve, shtetasit e të cilave hyjnë pa viza në Republikën e Shqipërisë dhe çfarë dokumenti duhet të paraqesin”, që i bashkëlidhet vendimit nr. 513, datë 13.6.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohen fjalët “… Rusi, Arabi Saudite, Bjellorusi, Gjeorgji, Katar, Oman, Tajlandë, Kinë dhe Bahrejn, me dokumentin pasaportë, për periudhën 1 prill deri më 31 tetor 2018”. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Ky vendim bëhet me qëllim të përfitimit sa i përket turizmit, gjegjësisht, ardhjes së turistëve nga këto vende.