Kosova

Edhe Kim Mehmeti reagon për heqjen e flamurit kombëtar

Shkrimtari dhe analisti i njohur, Kim Mehmeti ka reaguar pas heqjes së flamurit kombëtar në hyrje të Prishtinës dhe vendosjes së flamurit shtetëror të Kosovës.

Mehmeti ka thënë se njerëzit po harrojnë se po të mos ishte flamuri kuqezi, nuk do të ishte as flamuri shtetëror i Kosovës, përcjell albinfo.ch.

“Sa e sa shqiptarë, u kalbën burgjeve, vetëm pse ëndërronin që flamuri kombëtar të valëvitet nëpër sheshet e vendbanimeve shqiptare, e që sot, burrështetasit e Kosovës së pavarur, atë flamur ta largojnë nga ‘rrethi’ në hyrje të Prishtinës!”, ka shkruar Mehmeti.

“Ku ta dish, mbase vuajmë nga mendësia që nuk e ka kuptuar se po të mos ishte flamuri Kuq e Zi, kurrë nuk do kishte flamur shtetëror të Kosovës! Pra, ne harrojmë se flamurin shtetëror të Kosovës na e vizatuan dhe na e sollën të tjerët, e atë me shqiponjë dykrenore, e mbajti ngritur gjaku i shumë gjeneratave shqiptare!”, ka shtuar ai.

“Dhe sa keq ndjehet njeriu kur e sheh se bëhemi popull që i ndërron flamujt varësisht nga dora që ia gdhendë shtizat!”, përfundon reagimi i tij.

Në lidhje me largimin e flamurit kombëtar ka reaguar edhe analisti politik, Fadil Lepaja.

Lepaja e ka quajtur si akt të shëmtuar një veprim të tillë. “Pas disa vitesh flamuri kosovar e zëvendëson atë kombëtar në hyrje të Prishtinës, shkruan një gazetë e jona. Gazetarët në shërbim të politikës ditore, ende nuk e dinë, se hyrja e Prishtinës, nuk është te ky rreth, ku valon flamuri shqiptar, por është te rrethi në Çagllavicë! Heqja e flamurit shqiptarë, nga rrethi, nga ana e policisë kosovare, me urdhër shtetëror, ndërkohë që flamujt e Serbisë dhe Turqisë valojnë lirshëm nëpër Kosovë, është akt i shëmtuar dhe aspak në interes të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar ai.