Kosova

Edhe më tutje barriera për investimet nga diaspora

Kryetari i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës në Evropë Yll Blakaj ka thënë se në Kosovë ka sektorë të leverdishëm për investime, por që problemet aktuale, sidomos qasja në prona, ka bërë që qytetarët të hezitojnë të realizojnë investimet

Në Gjermani operojnë rreth 10 mijë biznese të shqiptarëve, kurse në Austri mbi 150 biznese me pronarë nga Kosova. Por edhe pse diaspora vazhdon të ketë një rol mjaft të fuqishëm në ekonominë e Kosovës asaj nuk po u krijohen kushte për të sjell kapitalin e tyre në vendlindje.

Kryetari i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës në Evropë Yll Blakaj ka thënë se në Kosovë ka sektorë të leverdishëm për investime, por që problemet aktuale, sidomos qasja në prona, ka bërë që qytetarët të hezitojnë të realizojnë investimet.

“Problemi kryesor është siguria në investime. Nuk presim të garantojnë investimet, por të sigurohen investimet. Investitori i diasporës vjen e blen një pronë, e privatizon atë dhe nuk ka mundësi që të ketë qasje në të. Këto fakte tregojnë se klima mund të përmirësohet”,  ka thënë Blakaj për REL-in.

Naim Dedushaj, drejtor në Drejtorinë për investime në Ministrin e Diasporës thekson se kontributi i diasporës për Kosovën ka qenë dhe vazhdon të jetë i madh, por që problemet për të investuar janë të pranishme. Megjithatë Dedushaj, thotë se mbi 2000 biznese të diasporës kanë investuar në Kosovë.