Kosova

Edhe ministri gjerman thotë të zgjidhet demarkacioni dhe të hiqet detyrimi i vizave

Ministri i punëve të jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, është shprehur shumë i lumtur që ka vullnet të zgjidhet çështja e demarkacionit në mënyrë që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen.

“Faleminderit për mundësinë që ma dhatë të jem mysafir i juaji për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. I përgëzoj gjithashtu qytetarët për 10 vjetorin e pavarësisë. Gjermania është një nder vendet e para që kanë njohur shtetësinë e Kosovës e cila duhet të jetë krenare për arritjet e veta”, ka thënë kryediplomati gjerman në Prishtinë.

Ai ka shtuar se Gjermania gjithmonë do të jetë partner i madh i Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Ai ka thënë se duan që ta ndihmojnë Kosovën në zbatimin e shtetit ligjor dhe ti ofrojë asaj asistencë për aq sa munden.

“Jam i lumtur që ka vullnet të zgjidhet çështja e demarkacionit me Malin e Zi, në mënyrë që ky kriter të plotësohet dhe të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës”, ka thënë ministri i jashtëm gjerman.