Sport

Edhe një futbollist shqiptar pritet të shkëlqejë në Turqi

Erdon Daci ka kaluar në skuadrën e njohur turke, Konyaspor, ku beson se do të shkëlqejë në Superligën e Turqisë

Superliga e Turqisë është një nga më të fortat në Evropë. Ky kampionat çdo ditë e më shumë po pasurohet me yje të futbollit botëror, por edhe shqiptar. I fundit që ka kaluar në kampionatin turk është futbollisti shqiptar nga Maqedonia, Erdon Daci.

Daci ka kaluar në skuadrën e njohur, Konyaspor. Futbollisti shqiptar në një intervistë për albinfo.ch shprehet shumë i lumtur që do të jetë pjesë e kësaj skuadre. “Edhe pse kam pasur kontakte me skuadra tjera, kam kaluar në Konyaspor, sepse ka qenë më konkret dhe më këmbëngulës. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e kësaj skuadre, dhe nuk jam penduar aspak. Kam pasur mundësi me zgjedh klube më të forta, por më ka pëlqyer plani i klubit. Klubet janë fenomenale dhe gjithçka është perfekt”, ka thënë Daci për albinfo.ch.

Synimet e tij janë të qarta. “Synimet e mia janë që së shpejti të filloj të jem në 11-shen e parë, dhe pse jo të fitojmë edhe trofe. Për transferimin tim më ka ndihmuar shumë menaxheri Bekir Tetik, i cili njëkohësisht është edhe menaxher ‘scout’ i Anderlechtit. E falënderoj shumë atë”, theksoi tutje ai.

Të luash në Superligën turke është një sfidë shumë e madhe. “Është një sfidë shumë e madhe në karrierën time. Superliga e Turqisë është një ligë shumë e fortë, dhe klubet gjigante dita-ditës po sjellin yje të futbollit botëror. Besoj se do të dëshmoj veten në këtë skuadër dhe të luaj në ndonjë klub edhe më madh evropian”, nënvizoi Erdon Daci.

Daci është futbollist shqiptar, derisa deri më tani ka luajtur për grupmoshat e Maqedonisë. Si çdo shqiptari, edhe atij i rrah zemra kuqezi. “Unë deri më tani kam luajtur vetëm për Maqedoninë, në të gjitha gjeneratat. Prej Shqipërisë nuk kam pasur asnjëherë thirrje. Normal sikur çdo shqiptar, dëshira ime është të luaj për Kombëtaren e Shqipërisë. Por, kjo nuk varet nga unë. Kjo varet nga dy shtetet, se cila do të do të më thërret”, përfundoi Erdon Daci.