Kultura

Edhe një manifestim për katërvjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Këtë herë Dega e Lidhjes Demokratike në Zvicër kishte rezervuar 3 marsin për të shënuar në Wohlen Ditën e Pavarësisë

©albinfo.ch: Vëllezërit Mziu

Për komunitetin kosovar në Zvicër festimet për katërvjetorin e pavarësisë së Kosovës ende nuk kanë përfunduar.

Këtë herë, Dega e Lidhjes Demokratike në Zvicër kishte rezervuar 3 marsin për të shënuar në Wohlen Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Për 17 Shkurtin u kremtua në praninë e një numri të konsiderueshëm bashkatdhetarësh, aktivistë të komunitetit të këtushëm shqiptar. Po kështu, në këtë kremte mori pjesë edhe këshilltari i ministrit të Diasporës të Republikës së Kosovës, Ahmet Hasani dhe një delegacion nga Prishtina i Partisë Demokristiane të Kosovës për Integrim, i udhëhequr nga Zef Morina.

© albinfo.ch

Në fjalën e përshëndetjes kryetari i Degës së LDK-së në Zvicër, Haki Latifi, ka folur para të pranishmëve për rëndësinë që ka kjo datë për shqiptarët. “17 shkurti i vitit 2008 shënon realizimin e aspiratës shekullore, të brezave të tërë, për të jetuar të lirë e të pavarur. Ai shënon po kështu edhe kthesën e madhe historike, në të cilën kjo aspiratë u legjitimua si e drejtë historike dhe politike e popullit të Kosovës për shtet të pavarur e demokratik”, ka thënë Latifi.

Pastaj ai ua ka rikujtuar të pranishmëve edhe sakrificën, e cila solli 17 Shkurtin e 2008-s.

“Sot ne kujtojmë me respekt të thellë të gjithë ata burra e gra që bënë gjithë ç’ishte në dorën e në mendjet e tyre për të çuar përpara këtë synim, të cilin më 17 Shkurt të vitit 2008 legjislatura ekzistuese e Kuvendit të Kosovës e kodifikoi në vendim që buron nga vullneti i qytetarëve të këtij vendi”, ka deklaruar Haki Latifi.

Një pjesë të fjalimit të tij kryetari i Degës së LDK-së në Zvicër, Haki Latifi, ua ka kushtuar edhe mërgimtarëve, të cilët, sipas tij, kanë dhënë kontribut të madh për realizimin e kësaj aspirate të shqiptarëve.

© albinfo.ch

“Edhe bashkatdhetarët këtu në Zvicër, si kudo në botë si pjesë e qenies kombëtare, janë të gëzuar dhe festojnë me krenari katërvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, për t’iu bashkuar festimit dhe gëzimit të bashkëkombësve në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë e Preshevës e Mal të Zi, kudo ku gjenden shqiptarët. Është dega dhe nëndegët e saj që për vite të tëra e kanë mbajtur në këmbë shpirtin patriotik të mërgimtarëve në këtë vend, por edhe të Kosovës”, tha mes tjerash Latifi.

Ai ka falënderuar edhe Zvicrën dhe popullin zviceran për mbështetjen e dhënë morale dhe materiale para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Ndërkaq Ahmet Hasani, këshilltar i ministrit Makolli, ka uruar bashkatdhetarët e mbledhur në emër të Ministrisë së Diasporës dhe ka mohuar të jetë i pranishëm në manifestim në cilësinë e përfaqësuesit të ndonjë prej partive politike.

Një telegram urimi nga Prishtina erdhi për aktivistët e LDK-së nga lideri i tyre, Isa Mustafa..

Ai përmes një letre ka përcjellë urimet e Kryesisë së LDK-së për përvjetorin e 4-t të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

© albinfo.ch

Pastaj ka pasuar pjesa artistike, për të cilën është përkujdesur bashkorganizatori i këtij manifestimi, shkolla shqiptare e vallëzimit “SHOTA“ në¨Zvicër.

Edhe vëllezërit Mziu argëtuan të pranishmit në Wohlen, ndërsa nuk munguan as recitimet e nxënësve të shkollës shqipe.

© albinfo.ch

© albinfo.ch