Shqipëria

Edhe turistë nga Ukraina në Shqipëri

Numri i turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë sa vjen dhe rritet, ku vetëm ditët e para të qershorit në Rinas kanë mbërritur charterat e parë nga Izraeli dhe Kopenhagën

Bukuritë natyrore dhe trashëgimia kulturore e Shqipërisë po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj, nga vende të ndryshme të botës.

Në fillim të sezonit turistik të këtij viti, janë të shumtë turistët që kanë zgjedhur të njohin natyrën dhe historinë e Shqipërisë.

Një tjetër charter me turistë është ulur në Aeroportin e Rinasit. Bëhet fjalë për charterin e parë me turistë nga Kievi të Ukrainës, të cilët u pritën nga përfaqësues të autoriteteve turistike që kishin organizuar një ceremoni tradicionale, shkruan “ATSH”.

Numri i turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë sa vjen dhe rritet, ku vetëm ditët e para të qershorit në Rinas kanë mbërritur charterat e parë nga Izraeli dhe Kopenhagën, përcjell albinfo.ch.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Blendi Klosi ka deklaruar se gjatë gjithë sezonit turistik do të ulen në Rinas rreth 300 charter, të cilët do të sjellin turistë jo vetëm nga Izraeli, Skandinavia, Polonia, Çekia, por edhe nga Anglia e Gjermania.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, etj, plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës. Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj, janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor.