Integrimi

“Edhe vetë Papa do të nënshkruante kundër dëbimit të familjes Sahiti”

"Një qytet i tërë" është vënë në mbrojtje të Sahitëve. Kryefamiljari thotë të ketë ikur nga Kosova pas kërcënimeve të vahabistëve

Një qytet i tërë është ngritur në këmbë kundër dëbimit në Kosovë të Asllan Sahitit me familje. Qyteti ka emrin Dachau dhe është i njohur për kampin e tmershëm të përqendrimit me të njejtin emër gjatë Luftës së Dytë Botërore. Njerëz prominentë të qytetit, përfshirë edhe kryebashkiakun, politikanë të tjrë dhe njerëz të kishës kanë nënshkruar peticionin kundër dëbimit të Asllanit dhe familjes së tij pesanëtarëshe.

Në krye të aksionit në këtë qytet të Bavarisë, landit që është bastion i partisë CSU (kristiane sociale) janë disa motra katolike nderi. Në mesin e tyre është edhe një i mbijetuar nga kampi i përqendrimit, «Theresienstadt» i Luftës së Dytë Botërore. Gjithsej deri tash janë grumbulluar 70 nënshkrime, kryesisht emrash të njohur publikë të qytetit, shkruan gazeta prestigjioze «Süddeutsche Zeitung», transmeton albinfo.ch.

Por çka është ajo që ka shtyrë këta qytetarë gjermanë të mbahen kaq fuqishëm në mbrojtje të shqiptarit nga Kosova?

Asllani 44 vjeçar ka qenë një besimtar i zakonshëm në një xhami të qytetit të Vushtrrisë. Si njeri i varfër që ishte, disa esktremistë (vahabistë, siç thotë ai) e kanë bindur që të hyjë në sektën e tyre, duke e joshur me para. I kanë ofruar 300 euro në muaj pagesë nëse falet pesë herë në ditë në xhami dhe nëse lëshon mjekrën sipas modelit të njohur të tyre. I shtyrë nga varfëria, ai ka pranuar. Kjo ka ndodhur në janarin e vitit 2014, përcjell sz.de rrëfimin e kosovarit. Por, siç tregon Asllani, pas një viti po ata vahabistë i kanë kërkuar atij që t`i bashkohej ISIS-it, të shkonte të luftonte në Siri. Pas kundërshtimit të tij, ata kanë filluar ta kërcënojnë se do t`ia marrin djalin e tij, Ensarin 16 vjeçar. Nga presioni i bërë dhe frika për familjen, ai ishte detyruar që në muajin shkurt te këtij viti të lëshonte Kosovën.

Në Gjermani, familja Sahiti është vendosur në Dachau. Në intervistën që e ka dhënë para organeve kompetente, nuk e kanë besuar rrëfimin e tij dhe e kanë futur rastin e kësaj familjeje në mesin e atyre të shtetasve të vendeve të sigurta të pejardhjes, ku bën pjesë edhe Kosova. Por,  motrat e nderit të rendit «Heilige Blut» (Gjaku i shenjtë) të Qendrës Përkujtimore të Kampit të Perqendrimit në këtë qytet e kanë nisur peticionin duke kërkuar që ky rast të shqyrtohet në mënyrë të veçantë. Madje njëra nga motrat e nderit, zonja Irmengard Schuster i ka drejtuar kritika të ashpra kreyministrit të Bavarisë, Horst Seehofer, i njohur si perfaqësues i vijës së fortë të partisë së krishterë sociale (CSU).

Duke iu referuar qëndrimit të ashpër të kësaj partie ndaj refugjatëve, Schuster ka thënë se «partia lirisht mund ta heqë shkrojnën C (që nënkupton «e krishterë») nga emri i saj».

Ndërsa është interesante se në mesin e nënshkruesve të peticonit është edhe shefi i CSU-së për Dachau, Tobias Stephen. Ai duke u nënshrkuar në atë peticion ka shkelur vijën partiake të partisë së tij, nënvion sz.de. «Por edhe vetë Papa do të nëshkruante për një rast të tillë», ka thënë zonja Schuster duke trimëruar të gjithë që të angazhohen për qëndrimin e familjes Sahiti.

I konsultuar nga gazeta, përfaqesuesi i Qendrës për studime të çështjeve të sigurisë në Prishtinë, Shpend Kursani ka deklaruar se raste të tilla si ky i familjes Sahiti, ndodhin në Kosovë. Ndërsa mbrojtja nga ky rrezik është pothuajse inekzistente.

Dhjetë muaj pasi kanë ardhur në Gjermani, fëmijët e Asllanit dhe Nexhmijes e kanë mësuar gjermanishten dhe e kanë gjetur veten shumë mirë në rrethin e ri, ku kanë avancuar shpejt në shkollim, përcjell albinfo.ch shkrimin e gazetës gjermane. Asllanit i është gjetur një punë dhe kështu mund të flitet tashmë për një familje të integruar mirë.

Mbetet të shihet vetëm nëse komisioni për raste të rënda do të tregojë mirëkuptim për peticionin e qytetarëve të Dachau-t dhe të lejojë qëndrimin në Gjermani të familjes Sahiti.