Zhvillim

Ekspansioni turk në Ballkan, përmes ekonomisë

Albinfo.ch ka zhvilluar një hulumtim për të kuptuar se çfarë përmban në të vërtetë « ekspansioni » turk në Kosovë dhe në Shqipëri dhe cilat janë përmasat e tij.

Turqia me gjithë investimet në Kosovë dhe Shqipëri, vazhdon të jetë larg së qeni partneri kryesor ekonomik i këtyre vendeve. Se nga cila rrymë politike turke është investuar në vendet shqiptare, sipas ekspertëve të ekonomisë është çështje e brendshme e Turqisë. Me rëndësi, të investohet pa u shkelur ligjet e vendeve ku ‘shpenzohen’ paratë dhe këto të fundit të mos shpërlahen. Megjithatë, përfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë se me Turqinë, tregtia fillon dhe mbaron me “dallaver”.

Albinfo.ch ka zhilluar një hulumtim për të kuptuar se çfarë përmban në të vërtetë ky «invazion» turk në Kosovë dhe në Shqipëri dhe cilat janë përmasat e tij.

Sherri plasi në Prishtinë vetëm pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor. Mediat u “pushtuan” me lajmin se orët e murit që mbanin mbishkrimin e organizatës qeveritare turke “Tika” zëvendësuan për disa momente fotografitë e Skënderbeut, në njërën prej shkollave të kryeqytetit.

Debati që shpërtheu në vend, rishfaqi rezervat që vazhdojnë të kenë një pjesë e qytetarëve të Kosovës për Turqinë.

Për një pjesë turqit janë “vëllezër” për nga religjioni. Tjetra anë nuk i do as investimet turke, të cilat i sheh si tendencë për “ripushtim” të vendit.

Gjithë kjo në një kohë krize të thellë jo vetëm politike për Turqinë, shtet ky që po tenton të “shpëtoj¨w” nga një komplot me përmasa të ndikimeve globale.

Dy rrymat më të fuqishme politike por edhe ekonomike e kulturore në Turqi, ajo e cila kontrollohet nga presidenti Rexhep Taip Erdogan (Recep Tayyip Erdoğan) dhe tjetra nga rivali i tij Fetullah Gylen (Fethullah Gülen) janë shtrirë edhe në Ballkan.

Gara e Erdoganit dhe Gylenit për të investuar në Ballkan

Ekspertë të ekonomisë dhe publicistë shqiptarë nga Kosova kanë mendime të ndryshme rreth “garës” së Erdoganit dhe Gylenit për të investuar në Ballkan dhe Kosovë.

Ibrahim Rexhepi, ekspert për çështje ekonomike në Prishtinë, thotë se nuk është bërë ndonjë analizë se cila rrymë turke qëndron prapa investimeve më të mëdha në Kosovë.

“A janë paratë të linjave të Gylenit, apo të Erdoganit është problem i brendshëm turk, i luftës politike që po bëhet atje”, thotë Rexhepi.

Liridon Lika, studiues i prezencës turke në Ballkanin perëndimor ka thënë se në këtë drejtim, qytetarët e shteteve të Ballkanit Perëndimor nuk kanë se për çfarë të shqetësohen apo të mbështesin njërën apo palën tjetër. “Shqiptarët nuk janë turq. Ne kemi dy shtete të pavarura shqiptare në Ballkan. Prandaj, mendoj se secili prej nesh duhet të shqetësohet për situatën ekonomike dhe politike në vendet tona në mënyrë që të ecim përpara në rrugën e integrimeve euro-atlantike”, ka thënë ai.

Por, për publicistin kosovar Gani Mehmetaj, Erdogani dhe Gyleni kanë bërë një garë se kush do të investoj më tepër në trojet shqiptare. “Të dy rrymat fetare islamike guleniste e erdoganiste kanë bërë garë se kush do të lë vragë më të thella në Kosovë. Gulenistat kanë ndërtuar mejtepe për shlyerjen e kujtesës kombëtare, arsimtarët e tyre e shpjegojnë historinë tonë nga këndi i pushtuesit osman. Ndërkaq, rryma erdoganiste ka bërë garë që të ndërtojë sa më shumë xhami – kazerma ushtarake për rekrutimin e shqiptarëve për xhihad”, thotë Mehmetaj.

BIK-u nuk përgjigjet

Dhe, ky i fundit, shprehet se të dyja rrymat politike në Turqi ia kanë arritur qëllimit..

Por, në Bashkësinë Islame të Kosovës nuk kanë dhënë mundësinë as t’iu shtrojmë këto çështje për diskutim. Myftiu Naim Tërnava është përgjigjur në telefon se gjendet në Arabinë Saudite. E as zëdhënësi i BIK-ut Bahri Simnica nuk është paraqitur asnjëherë për të dhënë një prononcim në lidhje me numrin e xhamive që ka ndërtuar Turqia në Kosovë apo edhe ndikimin eventual të organizatave turke për përcaktimin e imamëve.

As në rrjetin e shkollave turke, të njohur si “Gulistan”, nuk kanë preferuar të flasin lidhur me prezencën e tyre në Kosovë dhe Ballkan. Megjithatë, nga ky rrjet në Kosovë janë tri shkolla fillore dhe të mesme “Mehmet Akif”, ku mësimi zhvillohet në gjuhën angleze. Dy nga to gjenden në Prishtinë dhe një në Prizren si dhe një tjetër në Gjakovë.

Çmimi për një vit mësimi në rrjetin e shkollave Gulistan dallon nga vendi në vend. Sipas informatave të dhëna në sportelin e shkollës në Prishtinë me kërkesën e një prindi, një vit shkollimi kushton 3600 euro nga klasa e gjashtë deri në klasën e dymbëdhjetë.

Por, kostoja e çmimit është më e lirë në Gjakovë dhe Prizren. Aty, çmimet sillen rreth 2000 euro për një vit.

Ndërkohë ky rrjet shkollash është i shtrirë edhe në Shkup, Strugë dhe Gostivar, nën emrin “Yahya Kemal” sikurse edhe në Shqipëri, ku në Tiranë gjinden dy shkolla të tilla. Në Shqipëri, pjesë e këtij rrjeti është edhe Universiteti “Epoka”.