Autotech

Ekspertët parashikojnë fitime të mëdha për Facebookun pas ndryshimeve të fundit

Rrjeti social Facebook është bërë lajmi kryesor ditëve të fundit për shkak të ndryshimit të strategjisë së përhapjes së postimeve.

Kjo kompani njoftoi se prioritet tani do të kenë postimet e miqve dhe të familjeve, ndërsa do të reduktohen përmbajtjet e brendeve apo medieve.

Ekspertët parashohin se do të ketë rritje enorme të parave që do të paguhen për reklamat në Facebook në mënyrë që të mbahet numri i njëjtë i vizitave.

Të hyrat nga reklamat u rritën për 35 për qind në tremujorin e fundit. Agjencitë kishin vënë re një rënie në rritjen organike të faqeve për disa kohë, transmeton Albinfo.ch.

Sipas Mobbie Nazir, nga “We Are Social” miliona më shumë do të qarkullojnë në kampanja të ndryshme në Facebook për çështje të ndryshme.

“Të gjithëve na duhen planifikime më të mira për publikime. Ka ndryshime fundamentale në traditën se si tregjet e rrjetit social përditësohen”, ka thënë Greg Allum, nga “Jellyfish”.

Por, në anën tjetër, Chris Pearce nga “TMW Unlimited” thotë se kompanitë kredibile mund të dalin më mirë në të ardhmen.

Edie Greaves nga “Possible” beson se do të ketë vendime të ardhshme nga Facebooku, i cili, sipas tij, do t’u ofrojë brendeve mënyra të tjera për komunikim me përdorues, por patjetër duke shpenzuar para.