E-Diaspora

Eksperti zviceran: Ja përse Shaqiri duhet të luajë për Kosovën!

Teza interesante dhe e guximshme që prezanton Samuel Reber në këtë kolumne të tij është: Përse Shaqiri me shokë duhet të luajnë për Kosovën!

 

Në një seri shkrimesh me temën e futbollit, që ka nisur një blog i portaleve të gazetave “Tahes Anzeiger”, “Bund”, etj., paraqiten autorë të njohur, gazetarë dhe ekspertë futbolli me teza jo konvencionale që lidhen me sportin numër një në botë, edhe në Zvicër.

Autori i parë i kësaj serie, njëherësh bashkëiniciues i rubrikës është Samuel Reber, redaktor në tagesanzeger.ch, dhe ish futbollist amator.  Teza interesante dhe e guximshme që prezanton ai në këtë kolumne të tij është: Përse  Shaqiri me shokë duhet të luajnë për Kosovën!

“Në Zvicër mbretëron opinioni se sportistët me prejardhje të huaj të cilët janë rritur dhe formuar në Zvicër, duhet të përcaktohen për kombëtaren e këtushme. Mendoj se edhe unë vetë kam shprehur një herë një mendim të tillë. Jo në mënyrë fanatike, por megjithatë e kam bërë. Por së fundi mu bë e qartë: Kjo ishte krejtësisht pa kuptim”.

Reber këtë ndryshim qëndrimi e lidh me ndeshjen që në shtator luajti Zvicra kundër Shqipërisë, në Lucern. Shokët e tij duke shikuar ndeshjen në televizion debatonin me nervozë se si ka mundësi që lojtarët shqiptarë të mos e këndonin himnin zviceran “ky duhet të jetë minimumi i lojalitetit…” etj.

Por, vazhdon autori, “është çmenduri kjo çfarë ne kërkojmë nga këta njerëz. Dikush si Shaqiri duhet të luajë për kombëtaren e Kosovës, pa pasur nevojë që dikush në Zvicër të shqetësohet për ketë. Edhe përkundër faktit se ky lojtar është rritur në Zvicër. Sepse sportisti duhet të luajë për atë vend për të cilin i rrah zemra. Sporti, në pjesën e tij më të madhe jeton nga ky identifikim, aq më tepër sportet që luhen në ekipet kombëtare.

Ta paramendojmë tash një shqiptar të ri nga Kosova, që vjen në Zvicër. Gjendja e tij mund të jetë shumë e veçantë. Është e madhe mundësia që atij me prindërit i është dashur të ikte nga lufta. Tash ata jetojnë në një vend të huaj, ku familjarët brengosen për vendlindjen dhe për familjarët që i kanë lënë mbrapa. Qindra nëse jo mijëra veta, pjesëtarë të popullit të tij vdesin. Këta njerëz ndjekin lajmet, vuajnë dhe luten, për shembull, për një shtet të tyrin. Dhe ky shtet duket me të vërtetë të ngrihet në këmbë, pjesërisht njihet nga vendet tjera por është i brishtë dhe ka tepër shumë nevojë për çdo ndihmë në fillimet e tij.

Zemra e sportistit tone të ri rrah për Kosovën e re. Duke pasur parasysh historinë  e gjatë të vuajtjes, mbase më shumë se sa që rrah zemra e një futbollisti zviceran për Zvicrën. Dhe, nga na tjetër është e qartë: Kosova ka nevojë për sportiste, sepse, fundja, çka është më identifikuese dhe çka unifikon më tepër njerëzit se sa një kombëtare futbolli?

Unë nuk i di me saktësi historitë familjare të Shaqirit dhe Xhakës. Por, për mua është e qartë si dita me diell: Në rast se këta futbollistë duan të luajnë për Kosovën, sapo atje, në një të ardhme të afërt do të ketë një kombëtare futbolli, ata duhet edhe ta bëjnë këtë, pa pasur nevojë që dikush në Zvicër të zemërohet për këtë. Do të ishte ky një vendim, që mbase do ta merrja edhe vetë unë. Ose të cilin së  paku mund ta kuptoj gjithsesi”: