Kosova

Ekspozita “That’s why”, Delawie: LGBTI përballet me gjuhë të dhunshme

“Edhe nëse nuk shohim dhunë në rrugë, LGBTI përballet me gjuhë të dhunshme. Kosova ka përparuar shumë sa i përket kësaj çështjeje në një periudhë të shkurtër kohore”, ka thënë ai

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë dhe Transfobisë, anëtarët e grupit LGBTI kanë hapur një ekspozitë në qendër të sheshit “Nëna Terezë”. Në të kanë treguar komentet ofenduese, si dhe kërcënimet të cilat i kanë marrë jo vetëm anëtarët e grupit, por edhe përkrahësit e tyre.

Blert Morina nga LGBTI-ja ka thënë se që nga themelimi i këtij grupi si dhe nisja e aktiviteteve, kanë hasur në kundërshtime nga ana e qytetarëve.

E pranishme në këtë takim ishte edhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostollova, e cila tha se ligjet në Kosovë janë të mira, mirëpo sfidë mbetet implementimi i tyre. Ndërsa, ambasadori i SHBA-së, Greg Delawie, ka thënë se do ta mbështesin këtë kategori të margjinalizuar në Kosovë.

“Edhe nëse nuk shohim dhunë në rrugë, LGBTI përballet me gjuhë të dhunshme. Kosova ka përparuar shumë sa i përket kësaj çështjeje në një periudhë të shkurtër kohore”, ka thënë ai.