Kultura

Ekspozitë e grave artiste të Kosovës në Hagë

Në fjalimin para të pranishmëve, Ambasadorja Vjosa Dobruna ka folur për rolin e grave artiste nga Kosova. Ajo ka vlerësuar se artistet nga Kosova me punimet e tyre po shfaqin talentin dhe konkurrencën në shumë vende

Ambasada e Republikës së Kosovës në Hagë ka organizuar ekspozitën e grave artiste nga Kosova. Punimet e artisteve nga Kosova janë shfaqur në galerinë e Dock në Rotterdam.

Në hapjen e ekspozitës kanë marrë pjesë mysafirë të shumtë – përfaqësues të misioneve diplomatike, artistë nga Holanda, si dhe nga komuniteti shqiptar në Holandë, shkruan në faqen e Ambasadës së Kosovës në Hagë, përcjell “albinfo.ch”.

Në fjalimin para të pranishmëve, Ambasadorja Vjosa Dobruna ka folur për rolin e grave artiste nga Kosova. Ajo ka vlerësuar se artistet nga Kosova me punimet e tyre po shfaqin talentin dhe konkurrencën në shumë vende.

Të pranishme në hapjen e ekspozitës kanë qenë edhe artistet që kanë ekspozuar punimet e tyre si: Zake Prelvukaj, Arlinda Hajrullahu, Mjellma Goranci Firzi, Arjeta Mala, Ardiana Kika, Shqipe Kamberi dhe Zana Ramadani.

Në hapje të ekspozitës ka performuar me disa këngë shqipe edhe mezo-sopranoja e njohur nga Kosova Flaka Goranci nën përcjelljen me piano të Arben Ramadanit.

Ekspozita do të jetë e hapur deri të dielën më 19 qershor 2016.