Kosova

Eliza Hoxha përfaqëson Kosovën në Bienalen e Venedikut

Eliza Hoxha do të përfaqësojë Kosovën në edicionin e 16-të të ekspozitës ndërkombëtare në Bienale të Venedikut. Hoxha do të marrë pjesë me temën “Qyteti është gjithandej”.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se tashmë ministria ka zgjedhur që Hoxha ta përfaqësojë Kosovën në këtë bienale, përcjell albinfo.ch.

Ai po ashtu tha se “dimplomacia kulturore dhe akterët e saj janë pjesë përbërëse dhe tepër e rëndësishme e shtetformimit dhe ndërtimit të imazhit në botë. E tillë është edhe kjo pjesëmarrje e cila sivjet vjen nën temën ombrellë “FREESPACE” apo “HAPËSIRË E LIRË”.

Ministri Gashi foli për rëndësinë e temës duke thënë se rrëfimi për vitet e 90-ta është një rrëfim unik në sensin e mobilizimit dhe mbijetesës kolektive të shqiptarëve të Kosovës në vitet e 90-ta.

Hoxha tha se tema e zgjedhur për pavijon është një shtëpi e pakryer me blloka, e përzgjedhur për arsye se në vitet e 90-ta ka qenë një hapësirë që e ka kompensuar mungesën e qytetit.

Jehona Shyti, komisionere për pavijonin e Republikës së Kosovës tha se kjo temë lidhet me vitet e 90-ta, me rezistencën sociale. Titulli “Qyteti është gjithandej” dhe tregon për hapësirat private që ishin shndërruar në hapësira publike.

Hapja e pavijonit të Republikës së Kosovës bëhet më 24 maj.