Lifestyle

Era rrezikon pjesëmarrjen në Rusi për shkak të pasaportës

Këtë merak e bëri publik edhe nëna e Erës, Suzana Tahirsylaj. “Tani duhet të merremi me vizën e Rusisë. Erës i duhet të kthehet në Shqipëri dhe në Kosovë për t’u marrë me to”, tha Suzana Tahirsylaj

Slogani i “Live it up” ka nisur të shpërndahet në të gjithë botën së bashku me zërin e këngëtares shqiptare Era Istrefi. Së bashku me tre artistë të njohur ndërkombëtarisht, Era do të dëgjohet anekënd globit dhe jo vetëm gjatë Kupës së Botës.

“Të isha pjesë e himnit zyrtar të Kupës Botërore të FIFA-s ka qenë deri tani një përvojë e mrekullueshme, plot emocion. Të punoja me artistë të talentuar si Diplo, Nicky Jam apo Will Smith, për të cilët kam një admirim të veçantë, ka qenë fantastike dhe argëtuese. Përveç kësaj, jam edhe fanse e futbollit dhe mezi po pres të nisë Kupa e Botës”, u shpreh Era, raporton ‘Revista class’.

Ritmi i “Live it Up”, iu la në dorë producentit Diplo, njeriu që ka çmendur diskotekat me muzikën e tij. E në fakt, me “Live it Up”, Diplo nuk ka dashur thjeshtë të krijojë një himn futbolli, por një hit që do t’i bëjë të kërcejnë të gjithë, nga njeri cep i botës tek tjetri, përcjell albinfo.ch.

“Nuk kam realizuar ndonjëherë një këngë kaq internacionale që bën bashkë kaq shumë yje në një ritëm të fuqishëm”, shprehet Diplo.

Por, si ia doli Era të bëhet pjesë e himnit më të rëndësishëm të këtij Botërori?

Prej vitesh, drejtimin artistik të Botërorit, FIFA ia ka besuar gjigandit diskografik Sony Music. Nicky Jam është një prej artistëve, muzika e të cilit krijohet, publikohet dhe shpërndahet nën logon e Sony Music.

Nga ana tjetër, prej dy vitesh Era menaxhohet nga një prej filialeve që janë pjesë e Sony-t, Ultra Music. Duket të ketë qenë pikërisht ky avantazhi i saj, krahas shumë emrave të tjerë për të qenë pjesë e hitit zyrtar të FIFA-s. Nëse për Will Smith është rezervuar pjesa e repit, Nicky s’mund të mos ndërthurte ritmet e rumba-s me vargjet në spanjisht.

Ndërsa teksti i Era Istrefitt duket se është tipik për shqiptarët: “I ngremë flamujt dhe krenarinë e vendosim mbi shpinë”. Tingëllon si një tribut për dy flamujt tanë, që në këtë Botëror nuk do t’i shikojmë të ngrihen në shkallët e stadiumeve. Këtë vit, Kosova konkurroi për herë të parë në fazat eliminatore të Kampionatit Botëror. Por, ashtu si Shqipëria, nuk ia doli të mbërrinte në Rusi.

Telashet e saj të dikurshme me ambasadat, për shkak të kufizimeve që ka pasaporta e Kosovës janë të njohura. Edhe pse në janar të vitit të kaluar, Era u pajis me një pasaportë shqiptare, Rusia, ia mbylli dyert. Vitin e kaluar, Era Istrefi ishte ndër artistet ndërkombëtare të ftuara në një prej organizimeve më të mëdha të muzikës në kontinent, festivali Europa Plus. Por fatkeqësisht, nuk mundi të ngjitej në skenën e Moskës krah artistëve të tjera si Dua Lipa, Bebe Rexha, apo Arilena Ara.

Dhe, siç duket, edhe këtë herë performanca e këngëtares shqiptare mund të rrezikohet pikërisht për shkak të vizës. Këtë merak e bëri publik edhe nëna e Erës, Suzana Tahirsylaj. “Tani duhet të merremi me vizën e Rusisë. Erës i duhet të kthehet në Shqipëri dhe në Kosovë për t’u marrë me to”, tha Suzana Tahirsylaj.

Në përpjekje për të kontaktuar e për të mësuar rreth situatës së paqartë, “Jo vetëm modë” ka marrë një përgjigje të prerë: Era nuk ka kohë për gazetarët shqiptarë. Përveç reagimit për sajtin zyrtar të FIFA-s, Era nuk ka dhënë asnjë prononcim lidhur me pjesëmarrjen në himnin zyrtar të Botërorit.