AUTOTECH

Facebooku do të shfaqë më shumë “postime lokale”

Facebooku thotë se po e ndryshon mënyrën se si njerëzit do të marrin lajmet e fundit, duke u fokusuar në burimet e mediumeve lokale me “përmbajtje të kualitetit të lartë”.

“Lajmet lokale na ndihmojnë të kuptojmë çështjet që janë me rëndësi për komunitetet tona”, ka shpjeguar shefi ekzekutiv i kompanisë, Mark Zuckerberg në faqen e tij.

Përditësimi fillimisht do të aplikohet në SHBA, ndërsa më pas do të shpërndahet në gjithë botën, transmeton Albinfo.ch.

Ky lajm vjen pak pasi Facebooku njoftoi se do të reduktojë shfaqjen e postimeve nga bizneset, brendet dhe mediumet.

“Duke nisur prej sot, do të shfaqim më shumë postime nga burimet e lajmeve në qytetin tuaj”, ka shkruar Zuckerberg. “Nëse ndiqni një publikues lokal, ose dikush ndan një storie të afërme, do të shfaqet më lartë në ‘News Feed’”.

Zuckerberg ka thënë se përdoruesit e Facebookut që e dinë se çfarë po ndodhë në komunitetet e tyre do të jenë më të përfshirë për “të bërë dallimet”.