Sport

Falënderimi i Canës

Lorik Cana ka falënderuar të gjithë për përkrahjen gjatë gjithë karrierës së tij

Ikona e futbollit shqiptar, Lorik Cana është pensionuar zyrtarisht të hënën në përballjen Shqipëri-Itali, shkruan albinfo.ch.

Për të ishte rezervuar një lamtumirë e veçantë, derisa në tribuna ishte edhe një fanellë gjigante me numrin 5. Tifozët nuk janë ndalur duke brohoritur emrin e tij, derisa mbetet ikonë dhe legjendë e futbollit shqiptar.

Cana ka falënderuar të gjithë për përkrahjen gjatë gjithë karrierës së tij. “Të nderuar miq vëllezër e motra, do të kisha shumë dëshirë të gjej fjalët dhe mënyrën për të shprehur mirënjohjen time të thellë për të gjithë juve që keni qenë pjesë e rrugëtimit tim dhe karrierës sime si futbollist, duke filluar nga familja ime e mrekullishme, miqtë e mi, bashkëlojtarët, trajnerët, bashkëpunëtorët, tifozët dhe çdo shqiptar për respektin, dashurinë dhe forcën që më keni dhuruar gjatë gjithë këtyre 14 viteve te karrierës sime sportive. Ndihem krenar, i lumtur dhe me fat që ju kam pasur gjithmonë afër meje. Zoti ju ruajt juve dhe familjet tuaja dhe Zoti bekoftë Atdheun tonë të dashur”, ka shkruar Cana në rrjetet sociale.

Ai ka zhvilluar 93 ndeshje me Kombëtaren shqiptare, duke hyrë në histori.