Kosova

Familja Bajrami bëhet me shtëpi për Bajram

Shoqata e bamirësisë “Jetimët e Ballkanit”, në bashkëpunim me Komunën e Skenderajt kanë ndërtuar një shtëpi për familjen Bajrami në fshatin Baks

Këtë festë të Kurban-Bajramit fëmijët e Haki Bajramit (56) po e presin më të gëzuar se asnjëherë më parë. Ata tash kanë dhomën e tyre dhe një ambient të ngrohtë për të jetuar dhe e gjitha kjo iu mundësua nga njerëzit qëllim-mirë, të cilët e ndërtuan shtëpinë e tyre të re.

I zoti i shtëpisë, Haki Bajrami tregon për KosovaPress se deri tash ata kishin jetuar në kushte të vështira, duke u përballur edhe me motin e ftohtë gjatë dimrit.

“Kushte nuk ka pas, nuk ka kushte me jetuar as dy ditë, por me fuqinë tonë nuk kemi pas mundësi të bëjmë asgjë, është e pabanueshme, por falë shoqatave mirë është, na kanë ndihmuar. I falënderojmë shumë, janë merita tyre shumë të mëdha”, tha ai.

Familja Bajrami ka tre fëmijë dhe jeton me 120 euro ndihmë sociale. Fëmijët vijojnë mësimet në shkollën fillore, derisa babai i tyre mundohet të gjejë punë herë pas herë, por thotë se e ka shumë të vështirë, përcjell albinfo.ch.

“Punë gjejmë privat, ndonjë ditë, por nuk kemi të rregullt. Do të punonim, pse jo. Jemi pak larg me qendër, andaj nuk po ka punë”, thotë ai.

Duke u përballë me një jetë shumë të vështirë në këtë objekt të vogël, Haki Bajrami iu drejtua Komunës së Skenderajt për ndihmë.

Shoqata e bamirësisë “Jetimët e Ballkanit” në bashkëpunim me komunën e Skenderajt, arritën ta bëjnë me shtëpi familjen Bajrami, çelësat e së cilës ia dorëzuan si dhuratë për festën e Kurban-Bajramit. E krejt ndërtimi i saj, bashkë me mobilim arrin shifrën prej 19 mijë eurosh.

Kryetari i Shoqatës “Jetimët e Ballkanit”, Halil Kastrati tregon se këtë familje i ka gjetur në gjendje shumë të rëndë.

Megjithatë, Kastrati pranon se ende ka kërkesa shumë për ndihmë, dhe tregon se vetëm për një vit e gjysmë kanë arritur t’i strehojnë mbi 200 familje, ndërkohë që kanë kërkuar ndihmën e Kuvendit Komunal të Skenderajt, në mënyre që të identifikojë familjet në nevojë.

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, pranon se ka ende shumë raste të tilla dhe në vazhdimësi po bëjnë identifikimin dhe vlerësimin e tyre.

Republika e Kosovës vazhdon të përballet me numër të madh te të papunëve dhe me varfëri ekstreme. Ndër zonat më të prekura aktualisht janë Mitrovica, Skenderaj, Klina, Drenasi, Vushtrria dhe Novobërda.

Familjet që jetojnë në zona të thella vazhdojnë të përballen mungesë të kushteve elementare për jetesë. Ka ende shumë fëmijë që u rrezikohet shëndeti nëpër shtëpi pa kushte elementare për banim, të cilët ende nuk e kanë fatin e fëmijëve të familjes Bajrami që u bënë me shtëpi të re.