Integrimi

“Familja me 5 yje” dhe burimet e kreativitetit teknik shqiptar

Vëllezërit, Gazmendi dhe Bujari, dizajnerë industrialë me universitete prestigjioze të mbaruara në Britani drejtojnë kompaninë “Auto Fabrica”. Brikena dhe Preveza janë avokate të licencuara, derisa Arta, arkitekte

 

Kohët e fundit, faqet e gazetave evropiane janë të mbushura me shkrime mbi refugjatët, të cilët në numër të madh po vërshojnë Evropën. Shpesh lexojmë edhe shkrime të cilat tregojnë se refugjatët nuk janë vetëm barrë ekonomike e vendeve ku kanë gjetur strehim. Në të kundërtën, shumë prej tyre janë pasurim i këtyre vendeve. Ata shfrytëzuan talentet e tyre, por edhe mundësitë për shkollim që iu ofruan vendet nikoqire.

Nga Britania e Madhe, shteti i cili ndoshta është më liberal në ofrimin e mundësisë së shkollimit për refugjatë, vijnë shumë storje suksesi, ku protagonistë janë ish-refugjatë nga e gjithë bota.
Protagonistët e tregimit tonë vijnë nga Kosova.

Vëllezërit Gazmend dhe Bujar Muharremi lëshuan vendlindjen e tyre, Mitrovicën, në vitin 1998 dhe u vendosën në ujdhesën britanike, ishin në moshën 22, gjegjësisht 9- vjeçare. Për të dy vëllezërit dhe tri motrat e tyre qysh në fillim ishte e qartë se shkollimi ishte mundësia më e mirë për integrimin dhe hapjen e perspektivave në Britaninë e Madhe.

Ja kush janë “5 yjet” e familjes nga Mitrovica

Sot, 17 vjet më vonë, Gazmendi dhe Bujari janë dizajnerë industrialë, pas studimeve në universitete prestigjioze në Britani. Motrat Brikena dhe Preveza janë avokate të licencuara, derisa Arta zgjodhi drejtimin e arkitekturës dhe punon po ashtu e licencuar dhe me sukses si të gjithë vëllezërit dhe motrat e saj. “Familja me pesë yje”, si quhet nganjëherë familja Muharremi nga komuniteti shqiptar në Britaninë e Madhe, i dhuroi këtij vendi pesë kuadro të afta, të cilët i japin kontributin e tyre atdheut të tyre të ri.

Gazmendi dhe Bujari ngadalë janë duke bërë  emër edhe përtej kufirit britanik. Kur ditë më parë në Berlin të Gjermanisë u prezantua libri “The Ride 2nd Gear”, vëllezërit dizajnerë kishin shumë arsye të jenë të lumtur. Në ballinën e këtij libri, i cili konsiderohet si bibla e motoçikletave të punuara me dorë, është vënë një model i punuar nga ata në kompaninë e tyre Auto Fabrica.

 Shkrirje e dizajnit industrial dhe artit

Pasionin e tyre për të vizatuar vetura e motoçikleta Gazmendi e Bujari e ndajnë qysh nga fëmijëria. Ky pasion i solli ata në sallat universitare të Ruskin University dhe Coventry University. Pas përfundimit të studimeve të Bujarit, atyre u lindi ideja që pasionin ta shndërrojnë në biznes. Me dizajnimin e motoçikletës Type 1, lindi edhe Auto Fabrica, e cila në kohë shumë të shkurtë u bë një adresë e rëndësishme për prodhimin me dorë të motoçikletave.
„Ne jemi dizajnerë industrialë dhe punën që e bëjmë e konsiderojmë art.  Automjetet, dizajni i tyre dhe dëshira për të krijuar art ka bërë që në mënyrë shumë të natyrshme të kyçemi në dizajnimin dhe prodhimin e pjesëve të tyre”, flet Gazmendi, i cilli së bashku me vëllain prodhojnë vetë shumicën e pjesëve që iu nevojiten, për të krijuar kështu një stil unik të prodhimeve të tyre.
„Biznesi filloi relativisht lehtë”, rrëfen Bujari. „Ne kemi pasur shumë marketing falas falë gjuhës sonë të mirë dhe unike të dizajnit”, e për mundësitë e të huajve që të merren me biznes ne Britani, thotë se: “Të qenit në një vend të huaj në vitin 2015 nuk është problem, sidomos në industrinë kreative. Kufijtë në mes të racave dhe kulturave nuk janë një mjet ndarës, por një mjet bashkëpunimi.  Sa më shumë që ne si dizajnerë punojmë me kultura dhe zhanre të tjerë dhe largohemi nga kufijtë tanë të komforit, aq më shumë inspirohemi”.

Klientët e tyre, yje nga bota e arteve dhe shoubiznesit

Për të realizuar idetë e tyre ata kalojnë çdo ditë rreth 10 orë pune në punëtorinë e tyre në Essex. Në botën perëndimore prodhimet unikate vlerësohen shumë dhe adhuruesit e tyre paguajnë shuma të mëdha për to. Klientët e Auto Fabrica janë yje nga bota e sportit, artit, muzikës dhe filmit.
Paraqitja në Berlin i gëzon shumë vëllezërit ambiciozë. Ata e shohin këtë si sukses të madh kur dihet se Auto Fabrica është një kompani shumë e re. Dizajnimet e Bujarit ishin të suksesshme qysh gjatë kohës së studimeve. Ai po ashtu bashkëpunon edhe me kompaninë Acumen, për të cilën dizajnon pjesë të aeroplanëve.
Për të ardhmen ata kanë plane të shumta dhe është çështje kohe kur Auto Fabrica do t’u ofrojë klientëve të saj edhe veturën e parë të tyre të  punuar me dorë. “Ëndrra jonë është që të vazhdojmë punën që e bëjmë, të krijojmë art që kryen punë, që përdoret.  Qëllimi ynë është që të kemi një imazh të sofistikuar”, flasin ata për planet e tyre. Sukseset me siguri se nuk do t’iu mungojnë  sepse, siç thotë Bujari,  “çelësi i suksesit tonë është pasioni që kemi për punën që bëjmë”. Ky pasion të cilin ata e kanë qysh nga fëmijëria, e që edhe shihet në punimet e tyre, duket të jetë i madh. Ai me siguri se do t’iu hapë dyert drejt sukseseve të reja.

Synimi i tyre, konstruktimi i veturës së punuar me dorë

Për të ardhmen ata kanë plane të shumta dhe është çështje kohe kur Auto Fabrica do t’u ofrojë klientëve të saj edhe veturën e parë të tyre të  punuar me dorë. “Ëndrra jonë është që të vazhdojmë punën që e bëjmë, të krijojmë art që kryen punë, që përdoret.  Qëllimi ynë është që të kemi një imazh të sofistikuar”, flasin ata për planet e tyre.

 

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/familja-me-5-yje/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.