Sport

FASK-u e dha provimin edhe për organizime ndërkombëtare

Garuesi nga Polonia, Grzegorz Duda ka triumfuar në garën automobilistike, e cila u zhvillua në shtegun e Kullës në Pejë, që njëherësh ishte e vlefshme edhe për Kampionatin e FIA CEZ

Polaku Grzegorz Duda ka triumfuar në garën automobilistike, e cila u zhvillua në shtegun e Kullës në Pejë, që njëherësh ishte e vlefshme edhe për Kampionatin e FIA CEZ (Zona e Evropës Qendrore), njoftojnë organizatorët.

Duda ka pasur kohë fantastike prej 06:32.073 minuta (përfshirë të dyja vozitjet), duke lënë pas vetes Aldin Çoroviqin nga Mali i Zi, ndërsa një vend në podium ishte edhe për Blerand Hasanajn, i cili duke marrë parasysh veturën me të cilën u paraqit dhe krahasuar me veturat e dy të parëve, duhet të jetë tepër i kënaqur.

“Është hera e dytë që jam në Kosovë, ndërsa hera e parë për të garuar. Kosova është një vend shumë i bukur, me njerëz të mrekullueshëm. Jam shumë i kënaqur me mikpritjen, organizimin dhe gjithçka që ndodhi këtu. Kosova ka automobilistë shumë të mirë, të cilët nëse do të kenë kushte më të mira, jam i sigurt se do të renditen në nivele shumë të larta”, ka thënë Duda pas fitores, bashkë me të cilin ishte edhe PrzemyslawWaszczuk, që pati probleme me makinë dhe nuk arriti rezultat, përcjell albinfo.ch.

Probleme me makinë nuk pati Blerand Hasanaj, i cili me Opel Kadetin e tij vazhdon t’i sfidojë rivalët me vetura shumë më të mira. “Nuk kam pritur të kem kohë kaq të mirë, sepse veturën nuk e kisha në gjendjen më të mirë. Të gjithë e pamë se polakët u paraqitën me vetura 300 mijë, përkatësisht 120 mijë euro, ndërsa vetura ime nuk vlen më tepër se 3000-4000 euro, por duhet të luftojmë me mundësitë që i kemi. Më vjen keq për aksidentin që e pati Vali (Valdet Krasniqi), por falë Zotit ai nuk pësoi lëndime”, është shprehur Hasanaj.

I kënaqur me gjithçka që ndodhi në Kullë është shprehur edhe kryetari i FASK-ut, Ismet Rexhepi. “Është me rëndësi që gjithçka ka kaluar pa asnjë problem. Është hera e parë që ne e organizuam një garë, e cila vlerësohet edhe për kampionatin e FIA CEZ dhe mendoj se e kemi arsyetuar besimin e tyre. E tërë kjo po ndodh duke iu falënderuar punës së madhe që po e bëjmë, por edhe bashkëpunimit me institucionet tona relevante”, ka thënë Rexhepi.

Interesimi i dashamirëve të auto sportit për garën në Kullë ishte mjaft i madh.